Ditën e sotme në Tiranë është firmosur marrëveshja për bashkëpunimin në fushën e Diasporës mes qeverive të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, midis ministrit të Punëve të Jashtme të Republikës së Maqedonisë, Z. Bujar Osmani dhe ministrit të Shtetit për Diasporën Z. Pandeli Majko.
Përmes kësaj marrëveshje synohet të forcohet marrëdhënia dypalëshe ekzistuese mes dy shteteve duke synuar të kontriubojnë në objektivat gjithëpërfshirëse të bashkëpunimit mes dy shteteve. Bashkëpunimi në fushën e Diasporës është një instrument me vlera për forcimin e marrëdhënieve mes shtetasve tanë dhe në këtë kuadër palët kanë rënë dakord që të mbështesin dhe zhvillojnë bashkëpunimin në fushën e Diasporës mbi parimet e barazisë dhe përfitimit reciprok.
Nxitja e bashkëpunimit direkt mes institucioneve përgjegjëse të diasporës do të realizohet përmes shkëmbimit të vizitave të drejtuesve dhe ekspertëve në këto fusha, si dhe përmes konferencave dhe aktiviteteve të përbashkëta.
Sipas mundësive palët do të punojnë së bashku referuar një plani të përbashkët për veprimet në fushën e Diasporës si dhe do të angazhohen në programe të përbashkëta kulturore për Diasporën. Marrëveshja parashikon bashkëpunimin e institucioneve të tyre brenda kornizës së BE-së, Këshillit të Europës, Kombeve të Bashkuara dhe IOM-it.
Marrëveshja ka një afat pesë vjeçar dhe që automatikisht do të riprëtërihet për një periudhë pasuese prej pesë vitesh.