Nis puna për hartimin e paketës ligjore për garantimin e të drejtës së votës së shtetasve shqiptarë jashtë territorit të Shqipërisë.

Kryeministri i Republikës së Shqipërisë ka miratuar ngritjen e grupit ndërinstitucional të punës, i cili ka si qëllim hartimin e paketës ligjore për garantimin e të drejtës së votës së shqiptarëve në Diasporë.

Grupi ndërinstitucional do të kryesohet nga ministri i Shtetit për Diasporën dhe në përbërje të tij janë përfaqësues nga Ministria e Brendshme, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Instituti i Statistikave.

Në bashkëpunim me Komisionin e Reformës Zgjedhore në Kuvendin e Shqipërisë, grupi ndërinstitucional ka për detyrë të koordinojë punën e Komisionit të Reformës Zgjedhore, të realizojë konsultime dhe të marrë mbështetje nga përfaqësues të shoqërisë civile, ekspertë të jashtëm si dhe përfaqësues të organizatave ndërkombëtare.

Paketa ligjore do të hartohet dhe do të paraqitet për miratim në Këshillin e Ministrave, brenda muajit dhjetor të këtij viti. Hartimi i saj është në përputhje të plotë me rekomandimet e Bashkimit Evropian dhe modelet e vendeve anëtare të tij.

Urdhërin e plotë mund ta lexoni këtu:
URDHËR Nr.124, PËR NGRITJEN E GRUPIT NDËRINSTITUCIONAL TË PUNËS PËR HARTIMIN E PAKETËS LIGJORE PËR GARANTIMIN E TË DREJTËS SË VOTËS PËR SHTETASIT SHQIPTARË JASHTË TERRITORIT TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, datë 18.09.2019