Z.Ruçi i falenderoi anëtarët e Këshillit për përgjegjësinë dhe kontributin e tyre në këtë strukturë të rëndësishme të bashkëpunimit të shtetit shqiptar me Diasporën.

Disa prej çështjeve kryesore në të cilat u fokusuan anëtarët e Këshillit ishin tërheqja e më shumë investimeve nga Diaspora dhe incentivat për to, e drejta e votës për shqiptarët që jetojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, përfaqësimi i Diasporës shqiptare në institucionet shqiptare dhe roli i Këshillit Koordinues të Diasporës si partner i iniciativave të ndryshme në Shqipëri në të mirë të zhvillimit të vendit dhe prosperitetit të shqiptarëve në të gjitha vendet ku jetojnë.

Gjatë takimit Kryetari i Këshillit Koordinues, z. Gjonaj, falenderoi Kuvendin, Ministrin e Shtetit për Diasporën dhe institucionet e tjera shtetërore të Shqipërisë për vullnetin për të zgjeruar e fuqizuar bashkëpunimin me Diasporën: “Ne e kemi marrë përsipër këtë detyrë me shumë dëshirë e pasion dhe do të bëjmë maksimumin për t’i realizuar me përgjegjësi e seriozitet detyrat tona. Diaspora do bëhet një partnere reale e zhvillimit të Shqipërisë.”, nënvizoi z. Gjonaj.

Më pas, diskutimi midis pjesëmarrësve vijoi me bashkëbisedim mbi mjaft çështje të tjera aktuale të bashkëpunimit të shtetit shqiptar me Diasporën.