Më datë 26 prill 2025, në ambientet e Universitetit të Westminster-it në Londër, u zhvillua për herë të parë një aktivitet kushtuar kulturës, artit popullor, traditave dhe trashëgimisë shqiptare. Në një atmosferë të mbushur me emocion dhe krenari kombëtare, Shoqata e Grave Britaniko-Shqiptare (British-Albanian Women Association), në bashkëpunim me Fondacionin “Tradita Popullore”, Universitetin e Westminster-it dhe Agjencinë Kombëtare të Diasporës, organizuan këtë aktivitet kaq kuptimplotë.
Pjesëmarrja e bashkëatdhetarëve nga Shqipëria dhe Kosova, e shoqatave shqiptare në Londër, e studiuesve të huaj të artit dhe kulturës shqiptare, si dhe e përfaqësuesve të Ambasadës së Shqipërisë dhe Ambasadës së Kosovës në Mbretërinë e Bashkuar, i dha këtij eventi një dimension të veçantë dhe të pasur.
Në emër të Agjencisë Kombëtare të Diasporës, aktivitetin e përshëndeti Drejtoresha Ekzekutive, znj. Ermonela Xhafa, e cila në fjalën e saj theksoi se trashëgimia kulturore shqiptare është një pasuri e vyer, që duhet ruajtur dhe përcjellë brezave të ardhshëm.
Duke u ndalur tek roli i diasporës, znj. Xhafa vlerësoi rëndësinë e saj në ruajtjen e identitetit kombëtar dhe nënvizoi se kultura, gjuha dhe traditat shqiptare janë elementë kyç që forcojnë lidhjet me atdheun.
Znj. Xhafa përmendi rëndësinë e shoqatave shqiptare jashtë vendit si promotore të gjuhës, zakoneve dhe festave kombëtare, duke i konsideruar ato si ura të forta lidhëse midis diasporës dhe Shqipërisë.
Një pjesë e rëndësishme e fjalës së saj iu kushtua studentëve dhe të rinjve shqiptarë në botë, duke i cilësuar si ambasadorët më të denjë të Shqipërisë. Drejtoresha Xhafa nënvizoi angazhimin e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme në mbështetje të studentëve shqiptarë që ndjekin studimet jashtë vendit. Ajo theksoi se këta të rinj janë një pasuri e çmuar për Shqipërinë, pasi përmes eksperiencës së tyre ndihmojnë në forcimin e lidhjeve ndërkombëtare dhe promovimin e vlerave kulturore shqiptare.
Një prezantim shumë interesant mbi veshjet popullore u bë nga znj. Edlira Sula, drejtuese e Fondacionit “Tradita Popullore”, që nëpërmjet slide-ve, videove dhe ekspozitës riktheu vëmendjen tek veshjet tradicionale shqiptare, të cilat pasqyrojnë identitetin e kombit tonë, duke sjellë para publikut bukurinë dhe pasurinë e tyre.
𝐏𝐫𝐨𝐠𝐫𝐚𝐦𝐢 𝐩ë𝐫𝐟𝐬𝐡𝐢𝐮:
Fjalime përshëndetëse nga përfaqësues të lartë diplomatikë dhe organizatorë
Valle tradicionale nga Ansambli i Tropojës në Londër
Prezantim i veshjeve tradicionale dhe teknikave artizanale
Dokumentarë dhe ekspozitë e kostumeve autentike shqiptare
Muzikë tradicionale me çifteli dhe performanca të tjera