Të nderuar pjesëmarrës,

Më lejoni t’ju shpreh kënaqësinë time që ndodhem me profesionistë të suksesshëm në fushën e mjekësisë.

Ky është një aktivitet që nuk dëshiron të konsumojë atë që duket. Në kohët e sotme të jesh budalla është luks. Të jesh mjek ke bashkëshoqërues dhimbjen.

Përtej paraqitjes, diaspora shqiptare është një vlerë e shtuar e kombit. Ajo nuk është vetëm një burim, faktor dhe rezervuar të ardhurash financiare, por një kapital i madh njerëzor, social dhe vleror.

Sot në Perëndim janë me dhjetra mjekët shqiptarë të cilët ushtrojnë profesionin apo drejtojnë pavione të rëndësishme. Ata janë në krye të klinikave të specializimeve apo pjesë e ekipeve të kërkimeve në shkencat mjekësore.

Në këtë aktivitet të parë dëshiroj të nënvizoj dëshirën dhe përkrahjen që ai të kthehet në një aktivitet të përvitshëm. Shëndetësia ka nevojë për krijimin e një opinioni publik që tejkalon kufijtë e vendlindjes. Ky takim profesionistësh, vlerësoj të jetë një mundësi e përvitshme për të krijuar një bashkëpunim të ndërsjelltë dhe shkëmbim të informacioneve në sistemin kombëtar e ndërkombëtar shëndetësor.

Në Gjermani, ku sipas të dhënave paraprake, janë përqendruar numri më i madh i mjekëve të larguar nga Shqipëria, (sipas të dhënave të Shoqatës Mjekësore Gjermane në vitin 2018 numri i mjekëve shqiptarë ishte 630). Po ashtu mjekët janë të organizuar në shoqata, në Itali, Zvicër. Ende nuk ekzistojnë statistika të plota që të tregojnë numrin e mjekëve shqiptarë jashtë vendit. Numri i tyre në Zvicër mund të shkojë në mes 300 dhe 400 vetë. Shumica e tyre janë mjekë që kanë emigruar nga Kosova e Maqedonia e Veriut. Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës gjithashtu ka një numër të konsiderueshëm mjekësh. Sot janë të ftuar përfaqësues të Federatës së Mjekëve Shqiptarë në Europë i cili është një organizm më ambicioz.

Janë të shumë mjekët shqiptarë që kthehen në Shqipëri për të ndihmuar vullnetarisht, kryesisht në qytetet e prejardhjes. Ka të tjerë që kanë hapur klinika ku u sigurojnë punë studentëve shqiptarë dhe të huaj. Këta shembuj janë ende një fillim por që tregojnë për ekzistencën e një shembulli për të ardhmen.

Duke realizuar takime si ky i sotmi, me synimin për të realizuar një rrjet global të mjekëve shqiptarë në botë shpresoj se do të kontribuojmë edhe për një lidhje profesionale midis jush.

Të nderuar pjesëmarrës

Në profesionin e mjekut vdekja është ajo që ndodh në fund.

Si përfaqësues të luftës për jetën diaspora në fushën e mjekësisë është ndër komunitetet profesionale më të avancuara dhe më të përditësuara me progresin teknologjik dhe shkencor.

Përvojat e punës në Perëndim jo vetëm ju ka rritur profesionalisht, por ju ka bërë njohës të teknologjisë, metodave dhe arritjeve më të fundit në profesionet tuaja.

Shqipëria dhe sistemi ynë shëndetësor kanë nevojë për dijet, aftësitë, kapacitetet e mjekëve shqiptarë në diasporë. Disa prej jush janë kthyer dhe kanë rihyrë në sistemin shëndetësor publik, disa të tjerë kanë krijuar shërbime private. Secili ndjek rrugëtimin profesional që i përshtatet më mirë. Për Shqipërinë dhe sistemin çdo formë e integrimit tuaj në sistem është e mirëpritur, e dobishme dhe funksionale.

Takimet si ky i sotmi janë rast që mjekët të na bëjnë të njohur jo vetëm vlerësimet, por edhe kritikat, vërejtjet dhe sugjerimet e tyre për të ndihmuar jo vetëm lehtësimin e kthimit të profesionistëve të mjekësisë por edhe bashkëpunimin afatgjatë.

Profesioni i mjekut e ka të natyrshme që nga aktivitete të tilla të kërkojë rezultate se sa një teatër partizan. Ndaj vlen të theksohet se Shqipëria dhe sistemi ynë shëndetësor kanë komoditetin të kenë bashkëveprimin e mjekësisë shqiptare në diasporë.

Ky është një proces që nuk synon thjesht kthimin fizik në Shqipëri, por zgjerimin dhe rritjen e mundësive për një “kthim virtual” të arritjeve tuaja, lidhjeve tuaja institucionale, rrjeteve tuaja profesionale e shoqërore, kulturës dhe disiplinës suaj perëndimore të punës, integritetit të lartë profesional e njerëzor.

Sado programe e korsi preferenciale të krijojë qeveria, ende nuk mundemi që finaciarisht dhe profesionalisht tju ofrojmë mundësitë që kini në vendet pritëse ku punoni. Megjithatë, mendoj se mund të gjejmë forma bashkëpunimi, të cilat mund të zgjerojnë hapësirat e kontributit tuaj për vendin dhe sistemin tonë shëndetësor.

Ndjekim me vëmendje e kënaqësi përpjekjet e mjekëve në diasporë për tu vetë-organizuar në shtetet ku punoni e jetoni dhe do të bëjmë maksimumin për tju mbështetur. Këto forma organizimi mund të kanalizojnë më mirë përpjekjet dhe kontributet tuaja për fuqizimin dhe modernizimin e sistemit shëndetësor në Shqipëri.

Ju siguroj që ndjek me vëmendje diskutimet midis profesionistëve të Diasporës dhe lexoj me realizëm e pergjegjësi çdo kritikë e sugjerim tuajin.

Politika administron por nuk i bën ajo zgjedhjet. Diaspora është mundësia që kombi të bëhet varianti më i mirë vetvetes.

Ju faleminderit!

Postuar më: 20/02/2020