Alketa Drenova
______________________________________________________________________________________________
Specialist i Sektorit të Projekteve
Email: Alketa.Drenova@akd.gov.al
Alketa i bashkohet Agjencisë Kombëtare të Diasporës me një përvojë të pasur mbi 20 vjeçare në sektorin joqeveritar, publik dhe privat, si edhe me një pasion të thellë për zhvillimin dhe prosperitetin e diasporës shqiptare kudo në botë.
E diplomuar ne Fakultetin e Shkencave Sociale, dega Pune Sociale (1998), dhe me një Master në Administrim Publik (2010) ajo ka kontribuar në projekte dhe iniciativa për mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të individëve, grupeve dhe komuniteteve, përfshirë komunitetin shqiptar në Toronto dhe integrimin e tyre.
Angazhimi i saj profesional ka nisur në sektorin e shoqërisë civile, me organizatën “Shëndet për të gjithë”, dhe ka vijuar me Komitetin Shqiptar të Helsinkit, “Të ndryshëm por të barabartë”/IOM-Organizatën Ndërkombëtare për Migracion, EveryChild Albania, Qendrën Sociale për fëmijët dhe familjet- Bashkia Tiranë, Observatori për të drejtat e fëmijëve/UNICEF etj.
Pas vitit 2012, kontributi i saj u orientua në sektorin privat, në kuadër të Përgjegjësisë Sociale të “Lotaria Kombëtare” dhe më pas si specialiste e Menaxhimit të Cilësisë pranë Spitalit Amerikan, duke vijuar përkushtimin për respektimin e të drejtave për qytetarin/klientin/pacientin dhe përmirësimin e shërbimeve ndaj tyre.
Eksperienca shqiptare alternohet me një periudhë emigracioni në Kanada, “një mundësi për përfshirje të drejtëpërdrejtë me një sistem të zhvilluar të mbrojtjes/ shërbimeve sociale dhe ato arsimore”. Atje, është angazhuar aktivisht në mbështetje të zhvillimit të komunitetit shqiptar, në krijimin e mundësive për organizimin, bashkëpunimin dhe përmirësimin e statusit dhe të drejtave të tyre. Vlen të përmendet angazhimi me emisionin e përjavshëm televiziv “Pasqyra Shqiptare”-OMNI TV, organizimin e aktiviteteve të ndryshme, si dhe ka qenë pjesë e grupit themelues të Organizatës së Grave Shqiptare Kanadeze.
Me rikthimin dhe vazhdimin e jetës në Shqipëri ajo përbën një shembull modest të rikthimit dhe integrimit, dhe është entuziaste për të vijuar kontributin në kultivimin e identitetit kombëtar, gjuhës dhe kulturës shqipe në diasporë si pjesë e Agjencisë Kombëtare të Diasporës.