Një ditë vërtet e veçantë dhe emocionuese me arbëreshët në #Vena di Maida, në zemër të #Kalabrisë, një nga ato hapësira në #Itali ku historia shqiptare vazhdon të jetojë e të flasë prej më shumë se pesë shekujsh, ku gjuha, traditat dhe identiteti ynë kombëtar janë ruajtur me përkushtim të jashtëzakonshëm nga brezi në brez.
Së bashku me Kryetarin e Bashkisë, z. Salvatore Paone, të cilin e falënderoj për mikpritjen e ngrohtë, si dhe me personalitete të shquara të botës akademike dhe kulturore arbëreshe, ndër ta Prof. Francesco Stirparo, Prof. Cettina Mazzei dhe Prof. Francesco Altimari, morëm pjesë në edicionin e XXXI të Manifestimit Kulturor Folklorik për Vlerësimin e Pakicave Gjuhësore, organizuar nga Shoqata Kulturore “Progetto Caraffa”.
Ishte një tjetër dëshmi e gjallë e forcës së identitetit arbëresh dhe e kontributit të pashlyeshëm që komunitetet arbëreshe kanë dhënë e vazhdojnë të japin në ruajtjen e trashëgimisë sonë kombëtare. Përmes familjes, shkollës, shoqatave kulturore dhe jetës komunitare, ata kanë arritur të mbajnë gjallë gjuhën shqipe, zakonet, kujtesën historike dhe ndjenjën e përkatësisë shqiptare për më shumë se pesë shekuj.
Shpreha mirënjohjen time më të thellë për çdo individ dhe familje arbëreshe që e ruan këtë trashëgimi me aq dashuri, krenari dhe përkushtim. #Arbëreshët nuk janë vetëm ruajtës të kujtesës sonë historike; ata janë një pjesë e gjallë e kombit shqiptar dhe një pasuri e çmuar e kulturës #evropiane.
Rikonfirmova angazhimin e plotë të #Shqipërisë, të institucioneve tona dhe të #Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme për forcimin e mëtejshëm të lidhjeve akademike, shkencore, kulturore dhe shoqërore me komunitetet arbëreshe. Në këtë drejtim, vlerësova veçanërisht rolin e rëndësishëm të universiteteve, të katedrave të gjuhës dhe letërsisë shqipe, të studiuesve dhe intelektualëve arbëreshë, të cilët prej dekadash kanë dhënë një kontribut të pazëvendësueshëm në studimin, mbrojtjen dhe promovimin e gjuhës e kulturës sonë.
Po aq i rëndësishëm mbetet edhe mbështetja e vazhdueshme e institucioneve italiane, e autoriteteve qendrore dhe vendore, të cilat kanë ndihmuar në ruajtjen dhe promovimin e këtij mozaiku të pasur kulturor që përbën një vlerë të shtuar për Italinë dhe për gjithë #Evropën.
Arbëreshët janë sot një urë e gjallë lidhëse mes Shqipërisë dhe Italisë, mes dy brigjeve të Adriatikut dhe Jonit, një urë e ndërtuar mbi histori, kulturë, kujtesë dhe miqësi. Ata përfaqësojnë një shembull të vyer e të veçantë se si identiteti mund të ruhet dhe të pasurohet përmes bashkëjetesës, dialogut dhe integrimit.
Në këtë kuadër, mirëpritëm edhe projektet e reja që synojnë forcimin e lidhjeve me komunitetet arbëreshe, përfshirë #Muzeun e ri të Arbëreshëve në #Vuno, i cili pritet të shërbejë si një qendër moderne kujtese, studimi, edukimi dhe dialogu kulturor, duke afruar edhe më shumë Shqipërinë me bijtë dhe bijat e saj arbëreshe.
Historia jonë e përbashkët nuk është vetëm një kujtim i së kaluarës; ajo është një pasuri e gjallë që na frymëzon të ndërtojmë së bashku të ardhmen.
Link: https://x.com/hoxhafer/status/2060716128960233544?s=46


































