Përfaqësues të Agjencisë Kombëtare të Diasporës dhe Drejtorisë së Diplomacisë Ekonomike, Kulturës dhe Diasporës pranë MEPJ zhvilluan një vizitë studimore katërditore në Poloni, në kuadër të bashkëpunimit dhe me mbështetjen e GIZ Albania, si dhe me angazhimin e Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Poloni.
Vizita studimore synoi njohjen e përvojës polake në hartimin dhe zbatimin e politikave për diasporën, si dhe shkëmbimin e praktikave institucionale që mund të shërbejnë për forcimin e qasjes shqiptare ndaj komuniteteve jashtë vendit.
Polonia u përzgjodh për shkak të arritjeve të suksesshme gjatë pesëvjeçarit të fundit në hartimin dhe zbatimin e politikave shtetërore për diasporën, forcimin e koordinimit institucional dhe krijimin e mekanizmave konkretë për ruajtjen e lidhjeve me komunitetet jashtë vendit dhe angazhimin e potencialit të tyre në zhvillimin e vendit të origjinës.
Programi i vizitës përfshiu takime me përfaqësues të institucioneve kryesore polake që kontribuojnë në hartimin, koordinimin dhe zbatimin e politikave për diasporën, si dhe me përfaqësues të komunitetit shqiptar në Poloni.
Gjatë takimeve me Ministrinë e Punëve të Jashtme të Polonisë, Zyrën e Senatit për Diasporën Polake, Agjencinë Polake për Investime dhe Tregti (PAIH), si dhe institucione e fondacione të specializuara, u shkëmbyen përvoja mbi organizimin institucional, koordinimin ndërmjet strukturave përgjegjëse, ndarjen e kompetencave dhe mekanizmat e financimit të programeve në mbështetje të diasporës.
Një fokus i veçantë iu kushtua edhe ndarjes së eksperiencave lidhur me Strategjinë Polake për Bashkëpunimin me Diasporën 2025–2030, e cila përcakton drejtimet e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve shtetërore dhe komuniteteve polake në mbarë botën.
Në këtë kuadër, u prezantuan mekanizmat e bashkërendimit ndërmjet ministrive, Senatit dhe strukturave të specializuara, me synim harmonizimin e politikave, përdorimin efektiv të burimeve dhe shmangien e mbivendosjes së aktiviteteve.
Ruajtja e gjuhës, identitetit kombëtar dhe trashëgimisë kulturore te brezat e dytë dhe të tretë të diasporës ishte një tjetër çështje me rëndësi në programin e diskutimeve. Përvoja polake në mbështetjen e shkollave dhe qendrave kulturore jashtë vendit, trajnimin e mësuesve, zhvillimin e programeve edukative dhe përfshirjen e të rinjve ofroi shembuj konkretë për forcimin e lidhjeve të brezave të rinj me vendin e origjinës.
Në dimensionin ekonomik, diskutimet u përqendruan te nxitja e kthimit, investimeve dhe përfshirja e kapitalit njerëzor të diasporës në zhvillimin e vendit. Ndër praktikat e prezantuara ishte programi Poland Business Adventure, i cili u ofron të rinjve me origjinë polake mundësi për praktika profesionale pranë kompanive dhe institucioneve në Poloni, duke nxitur njohjen me tregun e punës dhe krijimin e lidhjeve të qëndrueshme me ekonominë e vendit të origjinës. Gjithashtu, u diskutua mbi forumet ekonomike, vizitat studimore dhe programet që mbështesin investimet dhe transferimin e njohurive profesionale.
Pjesë e shkëmbimit të përvojave ishin edhe skemat konkurruese të financimit për organizatat e diasporës, monitorimi dhe vlerësimi i projekteve, si dhe rritja e kapaciteteve organizative të shoqatave përmes trajnimeve dhe mbështetjes institucionale.
Në kuadër të vizitës, delegacioni zhvilloi gjithashtu një takim me përfaqësues të komunitetit shqiptar në Poloni, ku u diskutua mbi organizimin e tij, veprimtarinë e shoqatave, ruajtjen e lidhjeve me Shqipërinë dhe mundësitë për zgjerimin e bashkëpunimit me institucionet shqiptare.
Shkëmbimi i kësaj përvoje përbën një mundësi konkrete për të identifikuar modele dhe praktika që mund të përshtaten në kontekstin shqiptar, veçanërisht në drejtim të forcimit të koordinimit ndërinstitucional, mbështetjes së organizatave të diasporës, ruajtjes së identitetit kombëtar te brezat e rinj dhe krijimit të mekanizmave për angazhimin e potencialit profesional, njerëzor dhe ekonomik të diasporës në zhvillimin e Shqipërisë.
Gjatë kësaj vizite, përfaqësuesit e AKD-së dhe DDEKD-së zhvilluan një takim të frytshëm me përfaqësues të komunitetit shqiptar në Poloni, i cili shërbeu si një mundësi e rëndësishme për të dëgjuar nga afër shqetësimet, nevojat dhe pritshmëritë e tyre lidhur me situatën aktuale në Shqipëri.
Takimi krijoi një hapësirë të vlefshme dialogu dhe shkëmbimi, duke evidentuar mundësi të reja për forcimin e lidhjeve me institucionet shqiptare dhe zgjerimin e bashkëpunimit në funksion të ruajtjes së identitetit kombëtar dhe përfshirjes më aktive të diasporës në zhvillimin e vendit, si dhe mundësinë për hapjen e kurseve të para të gjuhës shqipe në Poloni.
Një zhvillim mjaft pozitiv ishte se komuniteti shqiptar në Poloni, kryesisht në Varshavë, është tashmë i organizuar dhe po ndërmerr hapa konkretë për krijimin e një hapësire të përbashkët takimi dhe bashkëpunimi, ku shqiptarët të kenë mundësi të mblidhen, të zhvillojnë veprimtari të përbashkëta kulturore e shoqërore, të ruajnë lidhjet me gjuhën, traditat dhe identitetin kombëtar, si dhe të forcojnë lidhjet mes shqiptarëve.
Kjo vizitë përfaqëson një hap të rëndësishëm në drejtim të forcimit të partneriteteve ndërkombëtare, shkëmbimit të përvojave dhe pasurimit të instrumenteve institucionale për zhvillimin e politikave në shërbim të diasporës shqiptare.
Njohja me modelet dhe praktikat më të mira europiane krijon mundësi konkrete për identifikimin dhe përshtatjen e mekanizmave të suksesshëm në funksion të zbatimit të Strategjisë Kombëtare të Diasporës 2026–2030, të hartuar në bashkëpunim me Organizatën Ndërkombëtare për Migracionin (IOM), duke synuar forcimin e koordinimit ndërinstitucional dhe përkthimin e objektivave strategjikë në masa dhe rezultate konkrete.
Agjencia Kombëtare e Diasporës vlerëson bashkëpunimin me GIZ Albania, gatishmërinë e institucioneve polake për të ndarë përvojën dhe praktikat e tyre, si dhe mbështetjen e Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Poloni për hartimin dhe organizimin e programit të kësaj vizite studimore.











