Drejtoresha Ekzekutive e Agjencisë Kombëtare të Diasporës, znj. Ermonela Xhafa, dhe Drejtoresha e Shërbimeve Konsullore të MEPJ-së, znj. Irida Laçi, zhvilluan një takim pune me z. Kolë Gjoka, Konsull Nderi i Shqipërisë në Gjermani, në kuadër të forcimit të bashkëpunimit me përfaqësuesit dhe figurat e spikatura të diasporës shqiptare, si dhe të diskutimit mbi mundësitë për mbështetjen dhe angazhimin e komunitetit shqiptar në Gjermani.
Kontributi i z. Kolë Gjoka në komunitetin shqiptar në Gjermani, përmes angazhimit, mbështetjes dhe përkushtimit të tij ndaj bashkëkombësve, përbën një vlerë të rëndësishme në ruajtjen e identitetit shqiptar dhe në forcimin e urave të bashkëpunimit mes diasporës dhe Shqipërisë.
Gjatë takimit u diskutua mbi çështje të rëndësishme që lidhen me diasporën shqiptare në Gjermani, me fokus të veçantë ruajtjen e gjuhës, identitetit dhe trashëgimisë kulturore shqiptare te brezat e rinj.
𝐍𝐝ë𝐫 𝐭𝐞𝐦𝐚𝐭 𝐤𝐫𝐲𝐞𝐬𝐨𝐫𝐞 𝐭ë 𝐝𝐢𝐬𝐤𝐮𝐭𝐢𝐦𝐢𝐭 𝐢𝐬𝐡𝐢𝐧:
Mësimi i gjuhës shqipe në komunitetet shqiptare në Gjermani, zgjerimi i mundësive për kurse dhe klasa shqipe, si dhe mbështetja e mësuesve dhe nismave që kontribuojnë në këtë drejtim.
-
Rëndësia e përfshirjes së fëmijëve dhe të rinjve të diasporës në aktivitete kulturore e edukative, për të ruajtur lidhjen me gjuhën, historinë dhe kulturën shqiptare.
-
Forcimi i bashkëpunimit me shoqatat shqiptare, komunitetet lokale, mësuesit dhe përfaqësuesit e diasporës, për të krijuar iniciativa të qëndrueshme dhe rrjete bashkëpunimi.
-
Identifikimi dhe angazhimi i profesionistëve, të rinjve dhe potencialit intelektual shqiptar në Gjermani, në funksion të shkëmbimit të përvojave dhe kontributit në zhvillimin e vendit.
-
Promovimi i lidhjeve ndërmjet diasporës dhe Shqipërisë, duke nxitur bashkëpunimin në fushat e arsimit, shkencës, kulturës, ekonomisë dhe zhvillimit shoqëror.
U nënvizua rëndësia e një vëmendjeje më të qëndrueshme dhe mbështetjeje konkrete për mësuesit e gjuhës shqipe në Gjermani, por edhe në diasporë, të cilët, përtej përkushtimit të tyre individual, kanë nevojë për më shumë vlerësim, fuqizim dhe mbështetje institucionale, në mënyrë që misioni i ruajtjes së gjuhës shqipe të mos mbështetet vetëm te vullneti dhe sakrifica e tyre.
Agjencia Kombëtare e Diasporës vlerëson dialogun dhe bashkëpunimin me përfaqësuesit e diasporës në vende të ndryshme, me synimin që ndërveprimi të kthehet në një partneritet strategjik me Shqipërinë, ku potenciali i diasporës të përkthehet në mbështetje konkrete, mekanizma funksionalë dhe rezultate të prekshme.