Sot u zhvillua takimi me profesionistët shqiptarë të Diasporës në fushën e drejtësisë.
Agjencia Kombëtare e Diasporës, me mbështetjen e Ministrit të Shtetit për Diasporën dhe Ministrisë së Drejtësisë zhvilloi aktivitetin online “Takimi i Juristëve në Diasporë”.

Diskutimi u zhvillua në tre panele: “Vështrim i përgjithshëm”, “Juristët në diasporë dhe roli i tyre në sistemin e drejtësisë” dhe “Rrjetëzimi dhe Ndërveprimi i Profesionistëve në diasporë”.

Gjatë fjalës së tij në këtë event, ministri i Shtetit për Diasporën, z.Pandeli Majko tha se ky takim duhet parë si një mekanizëm që lidh të dyja palët, juristët jashtë vendit dhe ata në Shqipëri për një angazhim të përbashkët.
“Ky takim i sotëm nuk duhet parë si një koncept ‘le të flasim për jurisprudencën’, po si një mekanizëm që do të lidhë të dyja palët për një angazhim të përbashkët. Ne e kemi shumë të vështirë të kuptojmë mekanizmat ose reflektime që duhet të vijnë nga protagonistët e fushës dhe besoj që “mësimdhënie” më të mirë për angazhimin e juristëve jasht

ë vendit në funksion dhe të interesave të drejtësisë në Shqipëri mund ta japin vetëm juristët vet. Në këtë këndvështrim shpreh angazhimin maksimal lidhur me interesimin. Jo pa qëllim e nisa duke thënë se e ka të nevojshme shteti këtë komunikim me ju. Nuk dëshiroj ta merrni si një fjalor diplomatik. Mendoj se jemi ende në fillimet e një legjislacioni të ri që e kemi nisur nga zero”, – tha z. Majko gjatë fjalës së tij.

Ministri Majko duke folur për rëndësinë e juristëve shqiptarë jashtë vendit tha se fjala e tyre ka nevojë për angazhim më të specifikuar kur bëhet fjalë për të drejtën e votës, marrëveshjet bilaterale që janë të lidhura me interesin e komuniteteve shqiptare jashtë vendit siç janë marrëveshjet e pensioneve.
“Ajo që dëshiroj të nënvizojë është fakti që aktualisht zëri dhe fjala e juristëve ka nevojë për angazhim të specifikuar pasi bëhet fjalë për angazhim që nuk është thjesht retorikë po për çështjen e angazhimit për të drejtën e votës, për një avokati të fortë përsa i përket marrëveshjeve bilaterale që janë të lidhura me interesat e komuniteteve shqiptare jashtë vendit siç janë marrëveshjet e pensioneve. Nuk po them se do të jeni protagonistë të mirëfilltë po ky dialog do të jetë nxitje për të reflektuar përballë njëri-tjetrit për ato që janë bërë apo nuk janë bërë për mirë. Pa diskutim angazhimi i përbashkët do të realizojë në vazhdim një koncept që do të jetë në interesin e përbashkët”, – tha më tej z. Majko.

Ministri Majko bëri thirrje për juristët jashtë vendit që të përfshihen në organizmat e drejtësisë në Shqipëri, siç është dhe shkolla e Magjistraturës, pasi siç u shpreh ai i gjithë kapitali njerëzor që po investohet për të ardhmen e shqiptarëve duhet të investohet dhe për të ardhmen e Shqipërisë.

Në fjalën e saj drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Diasporës, znj. Sonila Hysi u shpreh se Agjencia Kombëtare e Diasporës do të kontribuojë në forcimin e urave lidhëse me Shqipërinë, për ta bërë më të lehtë bashkëveprimin me njëri-tjetrin.

“Për Agjencinë Kombëtare të Diasporës rrjetëzimi i profesionistëve në Diasporë dhe ndërveprimi me profesionistët në Shqipëri është një element thelbësor për ruajtjen e lidhjeve mes tyre dhe vendeve të origjinës. Ndaj dhe kontributi juaj është i rëndësishëm në mbështetje të procesit të rëndësishëm institucional që kalon vendi jonë. Shqipëria pret ti bashkohet familje së madhe evropiane dhe kontributi juaj është i domosdoshëm në procesin e integrimit të vendit. Ju përbëni një aset jo vetëm në vendin ku jetoni e punoni po dhe në vendin tonë mëmë, Shqipëri. Ndaj Agjencia Kombëtare e Diasporës do të krijojë gjithmonë mundësi për krijmin e forcimin e urave lidhëse mes jush për ta bërë më të lehtë bashkëveprimin me njëri-tjetrin”, – tha ajo.

 

 

Ndërsa zv. ministrja e Drejtësisë, znj. Adea Pirdeni tha se angazhimi i juristëve jashtë vendit është shumë i rëndësishëm në formësimin e sistemit të ri të drejtësisë që mishëron besimin e publikut.“Angazhimi i një korpusi të madh juristësh për të formësuar një sistem të ri që do të mishëronte besimin e

publikut. Dhe tani po aq sa më parë, kërkon dhe do të kërkojë në vijimësi angazhimin e një mase kritike profesionistësh në të gjitha fushat e të drejtës. Prandaj, gjykoj që është sot një momentum i duhur që potencialet e humbura njerëzore ndër vite të rikthehen në pasuri kombëtare në kuptimin e plotë të fjalës. Në këtë vazhdë, Ministria e Drejtësisë do të mbetet një derë e hapur dhe në mirëpritje të çdo forme të kontributit tuaj që do të pasyrojë përpjekjet vendase për të sjellë dita-ditës vizionin e reformës në drejtësi. Mirëpresim çdo kontribut tuajin dhe në kuadër të punës së madhe përgatitore në kuadër të integrimit të vendit në Bashkimin Europian”,- tha ajo ndër të tjera.

Diskutimet vijuan më pas me panelistët e tjerë dhe juristët shqiptarë jashtë vendit.

Në fjalën e saj znj. Brikena Muharremi, anëtare e Këshillit Koordinues të Diasporës, juriste me përvojë në Britaninë e Madhe hodhi idenë e një rrjeti global të juristëve shqiptarë jashtë vendit dhe pse në disa shtete ka shoqata të tyre.
“Sa i përket juristëve në Diasporë di që ekzistojnë disa shoqata në shtete të ndryshme dhe organizimi i tyre në një rrjet global mendoj që është diçka shumë e mirë dhe do të jetë një mënyrë e mirë e identifikimit të juristëve në Diasporë dhe organizimit të bashkëpunimeve mes tyre dhe kolegëve apo institucioneve në Shqipëri. Unë drejtoj shoqatën e Avokatëve shqiptaro-britanik që e themelova para gjashtë viteve dhe lindi si rezultat i një nevoje ku komuniteti kishte nevojë për këshilla ligjore. Sidomos në vitet e fundit është rritur shumë numri i juristëve dhe kjo më ka shtyrë të themeloj shoqatën për të pasur bashkëpunim mes njëri-tjetrit dhe të ndihmojmë komunitetin”, – tha znj. Muharremi.

Prej më shumë se një viti Brikena Muharremi është një mbështetëse e të drejtës së ushtrimit të votës së shqiptarëve jashtë vendit. Ajo foli dhe për nevojën e eksperiencës së juristëve shqiptarë në botë në fazën e rëndësishme të zhvillimit ku janë shtetet e Ballkanit duke sjellë dhe shembuj konkretë.
“Si Shqipëria dhe vende të tjera në Ballkan janë në faza të rëndësishme zhvillimi dhe një sistem ligjor efikas dhe funksional ka një rol kyç në zhvillimin e një shteti. Juristët në Diasporë mendoj që të gjithë pajtohemi me këtë që përbëjnë një potencial që duhet shfrytëzuar me qëllim përmirësimin e sistemit të drejtësisë në vendlindje. Këtë e them në aspektin e shfrytëzimit të ekspertizës së tyre. Mund ta jap shembull konkret pse është e rëndësishme. Investimet që bëhen në Shqipëri, investitorët gjithmonë kërkojnë një lloj garancie sidomos në aspektin e funksionimit të ligjit në një shtet dhe kjo është e rëndësishme në aspektin ekonomik”, – tha ndër të tjera znj. Muharremi.

Ndërsa kryetarja e shoqatës shqiptaro-kanadeze të avokatëve, znj. Anisa Arra theksoi faktin se juristët me origjinë shqiptare në Kanada janë të gatshëm të kontribuojnë për vendin e tyre në reformimin e sistemit ligjor.
“Duke drejtuar shoqatën kam kuptuar që juristët këtu janë të gatshëm e të përgatitur të tregojnë përvojën e tyre në drejtim të Shqipërisë në mënyra të ndryshme, dhe veçanërisht reformimi i sistemit të drejtësisë ose aspektit ligjor”, – u shpreh znj. Arra.

 

 

Sakaq, avokati i njohur shqiptar në Itali, Ermir Lushnjari u ndal tek problematika e njohjes së pensioneve mes Shqipërisë dhe Italisë. Ai thotë se komuniteti shqiptar në shtetin fqinj është ndër më të integruarit, në një kohë kur shënohet dhe 30-vjetori i eksodit. Ai thotë se me iniciativa të tyre janë takuar dhe me përfaqësues italian lidhur me këtë problem.
“Probleme që ne nuk i zgjidhim që lidhen me komunitetin tonë, dhe jo se ne na mungon përvoja apo ekspertiza, por janë probleme që ne i kemi duart e lidhura. E para, problemi i njohjes së viteve të punës në

Shqipëri. Ky është një problem që e ka në veçanti komuniteti shqiptar dhe pse është një nga komunitetet më kryesore në Itali, por i penalizuar për këtë fakt. Sepse komunitete të tjera të huaja, qoftë maroken, egjiptian apo ballkanas, si Rumania e Bullgaria kanë arritur dhe pse kanë një numër modest të qytetarëve të tyre në Itali, kanë arritur të krijojnë këtë marrëveshje”, – tha z. Lushnjari.