Projekti: “Trajnimi i valltarëve nga diaspora shqiptare në Ukrainë”
Në kuadër të projektit “Trajnimi i valltarëve nga diaspora shqiptare” një grup nga diaspora e vjetër shqiptare në Ukrainë, kanë mbërritur në Shqipëri për të nisur programin e tyre kulturor dhe artistik.
Ata janë pjesë e Ansamblit të vallëzimit amator “Iliria” dhe Ansamblit të këngës dhe vallëzimit shqiptar “Kolorit”.
Ata janë shtetas ukrainas me prejardhje shqiptare, të lindur dhe rritur larg atdheut, por që kurrë nuk i kanë harruar rrënjët e tyre. Ky komunitet i veçantë dëshmon se identiteti shqiptar ruhet, kultivohet dhe trashëgohet brez pas brezi me një dashuri pa kushte, e cila mbart ndjenjën e fortë të përkatësisë me gjakun e të parëve.
Vizita filloi me njohjen e qytetit antik të Durrësit, ku vizituan Kullën Veneciane dhe Amfiteatrin, monumente të rëndësishme të trashëgimisë historike shqiptare. Gjatë qëndrimit në Durrës, grupi zhvilloi gjithashtu një vizitë në Qendrën Kulturore të Fëmijëve, ku u pritën nga drejtori i institucionit, z. Arian Plaku, dhe u informuan mbi aktivitetet artistike, edukative dhe rolin e kësaj qendre në kultivimin e brezit të ri.
Programi vijoi me një ndalesë në Krujën historike, ku u vizitua Muzeu Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, si një moment i veçantë njohjeje me rrënjët, historinë dhe identitetin kombëtar.
Gjatë qëndrimit në Tiranë, pjesëmarrësit do të ushtrohen me trajnimet profesionale në vallet shqiptare nga artistë dhe pedagogë të Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, ndërsa aktiviteti do të përmbyllet me një shfaqje artistike në kuadër të aktiviteteve kushtuar Ditës Kombëtare të Diasporës.