Drejtoresha Ekzekutive e AKD, znj. Ermonela Xhafa dhe Drejtorja e DEKD në MEPJ, znj. Silvana Leskaj, më 2 dhe 3 dhjetor në Varshavë zhvilluan takime të rëndësishme lidhur me diasporën, në kuadër të javës “Culturalb – Ditët e Shqiptarëve në Diasporë”, të organizuara nga MEPJ, MTKS dhe Agjencia Kombëtare e Diasporës.

Në datën 2 dhjetor 2025 u zhvillua takimi me përfaqësues të diasporës tonë të mrekullueshme në Poloni, një komunitet intelektual, i gjallë e plot ide që na frymëzojnë.
Takimi u organizua me kujdesin e Ambasadores së RSH në Poloni, znj Mimoza Halimi. Takimi u zhvillua si një dialog i drejtpërdrejtë, i sinqertë dhe i frytshëm mbi nevojat dhe pritshmëritë e diasporës shqiptare në Poloni.

Momente inspiruese, kritika të qenësishme, por me energji pozitive dhe hapa konkretë drejt forcimit të urave profesionale, kulturore dhe njerëzore me atdheun.
Faleminderit diasporës sonë për pritjen, arritjet personale, por dhe kontributin e jashtëzakonshëm dhe kontaktet me atdheun.
Znj. Leskaj pati një takim me z. Maciej Falkowski, zv. Drejtor i Departamentit për Tregti dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik dhe Teknologjisë për të diskutuar organizimin e Sesionit të 8-të të JEC dhe përparimin e bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar ndërmjet Shqipërisë dhe Polonisë. Paralel me Komisionin do të punohet edhe për organizmin e një forumi biznesi. U propozua gjithashtu dhe ngritja e një mekanizmi të përbashkët për promovimin e eksporteve shqiptare dhe u dakordësuan hapat për finalizimin e marrëveshjeve të hapura.

Në datën 3 dhjetor u zhvillua edhe një takim zyrtar me z. Rafał Perl, Zëvendës Drejtor i Drejtorisë së Diasporës, në ambientet e Ministrisë së Punëve të Jashtme në Varshavë.
I shprehëm mirënjohjen e thellë për mbështetjen që Polonia i ka dhënë Shqipërisë për integrimin në Bashkimin Evropian.
U vlerësua bashkëpunimi në fushën e turizmit, ku një kontribut të madh kanë dhënë turistët polak në turizmin shqiptar dhe promovimin e tij, lidhjet direkte të fluturimeve mes Polonisë dhe Shqipërisë.
U diskutua mbi mundësi të reja bashkëpunimi, projektet e së ardhmes dhe mënyrat se si mund të thellohet bashkëpunimi institucional për mbështetjen e komunitetit tonë në Poloni.
Aktivitetet po vijojnë. Çdo ditë do të ndajmë copëza nga këto aktivitete.