Aktivitet me diasporën në Athinë, organizuar nga Shoqata e Diasporës “Tirona”, si dhe përkujtimin e 81 vjetorit të çlirimit të Tiranës
Në Athinë u zhvillua një aktivitet i veçantë organizuar nga Shoqata “Tirona – Lidhja e Shqiptarëve në Greqi”, një nga organizatat aktive të komunitetit shqiptar në Greqi në përkujtimin e një date të shënuar, 17 nëntorit, 81-vjetorin e Çlirimit të Tiranës.
Në këtë aktivitet mori pjesë Drejtoresha Ekzekutive e Agjencisë Kombëtare të Diasporës, znj. Ermonela Xhafa, e cila në fjalën e saj përshëndetëse përcolli urimet më të përzemërta për këtë ditë të shënuar, duke vlerësuar kontributin e çmuar të paraardhësve tanë në çlirimin e Tiranës, por dhe gjithë Shqipërisë. Znj. Xhafa shprehu konsiderata për shoqatën Tirona, si dhe çdo shoqatë në Greqi dhe diasporë për rolin e tyre të spikatur në ruajtjen e gjuhës, kulturës dhe identitetit shqiptar.
Shoqata “Tirona” ndonëse një shoqatë relativisht e re, me punën dhe angazhimin e përditshëm, ka ndërtuar ura bashkëpunimi dhe solidariteti që pasurojnë komunitetin tonë në Greqi dhe forcojnë lidhjen me Shqipërinë”– u shpreh znj. Ermonela Xhafa, Drejtore Ekzekutive e Agjencisë Kombëtare të Diasporës.
Në fjalën e saj, znj. Xhafa theksoi rëndësinë e bashkëpunimit institucional ndërmjet Agjencisë Kombëtare të Diasporës, Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Greqi dhe mësuesve dhe shoqatave shqiptare, duke veçuar hapat e ndjekura deri më tani për mundësinë e hapjes së Qendrës Kulturore Shqiptare në Greqi, si një hap i rëndësishëm për promovimin e gjuhës dhe kulturës sonë kombëtare.
Në aktivitet ishin të pranishëm:
Z. Pavlos Kristidhis, deputet i PASOK-ut, Kryetar i komisionit Parlamentar për Kontrollin e Refugjatëve, Imigracionit dhe të Drejtave të Njeriut;
Z. Panajotis Halafis, Zv. Kryetar i Bashkisë së Athinës,
Znj. Silvana Leskaj, Drejtore e DEKD në MEPJ,
Znj. Joneda Doda, përfaqësuese e Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Greqi,
Znj. Lindita Kulla, Kryetare e Shoqatës “Tirona” në Greqi,
Z. Anastas Murati, aktivist i mirënjohur i komunitetit shqiptar në Greqi.
Në këtë veprimtari mori pjesë dhe përfaqësues të Radio Televizionit Shqiptar, përmes gazetarit të RTSH3 z. Artur Bejzade, kanalit të dedikuar për diasporën shqiptare, i cili solli përjetime interesante të kësaj dite plot emocione, kulturë dhe krenari kombëtare.
Gjithashtu të pranishëm ishin mësues të shkollave shqipe, nxënës dhe bashkatdhetarë, të cilët me pjesëmarrjen e tyre e bënë këtë ditë edhe më të ngrohtë dhe kuptimplotë.
Në këtë atmosferë festive u nderua me respekt dhe mirënjohje 17 nëntori, Çlirimi i Tiranës, si një kujtesë e gjallë e sakrificave dhe e idealit për liri, dinjitet e bashkim kombëtar, vlera që vazhdojnë të udhëheqin shqiptarët kudo në botë.