Agjencia Kombëtare e Diasporës, në bashkëpunim me Drejtorinë e Diplomacisë Ekonomike, Kulturës dhe Diasporës (MEPJ), si edhe me Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Greqi, zhvilluan një sërë takimesh të frytshme me përfaqësues të shoqatave shqiptare në Athinë.
Këto takime synojnë forcimin e bashkëpunimit institucional, dëgjimin nga afër të nevojave dhe propozimeve të komunitetit, si dhe identifikimin e mundësive të reja për projekte ekonomike, kulturore dhe sociale që lidhen me diasporën tonë aktive dhe të përkushtuar.
Gjatë diskutimeve u nënvizua roli jetik i diasporës në zhvillimin e vendit, ruajtjen e identitetit kombëtar dhe promovimin e vlerave shqiptare në Greqi. Përfaqësuesit e shoqatave ndanë përvojat, sfidat e përditshme dhe idetë për nisma të reja që mund të sjellin bashkëpunim edhe më të ngushtë.
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme (MEPJ) e ka në fokus diasporën, duke forcuar lidhjet me çdo shqiptar kudo në botë, për të ruajtur unitetin kombëtar, për të promovuar kulturën dhe vlerat tona, si edhe për të afirmuar në mënyrë të qëndrueshme rolin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.
Takime të tilla do të vijojnë edhe në vendet e tjera ku komuniteti shqiptar është i pranishëm dhe i konsoliduar, në mënyrë që çdo vatër shqiptare jashtë vendit të ndihet pjesë e pandarë e Shqipërisë.
Në takim mori pjesë edhe anëtari i Këshillit Koordinues të Diasporës, përfaqësues për Greqinë, z. Ermal Sulaj.
Diaspora jonë – zëri që na përfaqëson, forca që na bashkon.