Fitimi i së Drejtës së Pronësisë
Fitimi i së drejtës së pronësisë, të pasurisë së paluajtshme në Shqipëri, mund të realizohet në disa forma ligjore, në përputhje me dispozitat e Kodit Civil ose përmes ligjeve të veçanta.
Në çdo rast, fitimi i së drejtës së pronësisë kalon nëpër dy faza:
- Fitimi i së drejtës së pronësisë ose të drejtave të kufizuara mbi pronën, përmes një akti të një autoriteti publik apo me anë të kontratave.
- Përfundimi i kalimit të së drejtës së pronësisë, nëpërmjet regjistrimit të dokumenteve të titullit të pronësisë në Regjistrin e Pasurive të Paluajtshme
Shitblerja e Pasurive të Palujtshme
Kontrata e shitjes është një nga mënyrat kryesore të fitimit të pronësisë në Shqipëri. Kalimi i pronësisë mbi pasurinë e paluajtshme dhe të drejtat reale mbi to, duhet të bëhet me akt noterial dhe të regjistrohet.
Shitblerja e trojeve
Personat fizikë dhe juridikë privat shqiptarë kanë të drejtë të blejnë e të shesin lirisht troje ndërmjet tyre pa asnjë kufizim.
Personave fizikë a juridikë të huaj që kryejnë ose kanë kryer investime në territorin e Republikës së Shqipërisë, iu lind e drejta të blejnë truall pasi të kenë arritur kryerjen e investimit në përputhje me lejen e ndërtimit, deri në një vlerë jo më të vogël se tre herë vlera e truallit ose që kanë blerë apo ndërtuar objekte me vlerë mbi trefishin e çmimit të truallit të tyre.
Toka bujqësore, pyjore, livadhet dhe kullotat
Personave fizikë dhe juridikë të huaj, nuk u njihet kalimi i së drejtës së pronësisë të tokës bujqësore, pyjore, livadheve dhe kullotave, por ata gëzojnë të drejtën e marrjes me qira deri në 99 vjet. Dhënia me qira bëhet sipas dispozitave të Kodit Civil.
Kufizimet e mësipërme nuk zbatohen kur krijohet një kompani e re shqiptare edhe me 100% pronësi nga një investitor i huaj ose përmes blerjes së aksioneve, në kompanitë ekzistuese shqiptare.
Pronësia mbi pronat e palujtshme në Shqipëri mund të jetë shtetërore ose private.
Prona shtetërore
Pasuritë shtetërore mund t’i ofrohen bizneseve private, nëpërmjet tre mënyrave të mëposhtme:
- Shitje nëpërmjet privatizimit
- Dhënie me qira
- Enfiteozë
Tek kontrata e enfiteozës subjekti përveçse fiton të drejtën e përdorimit, duhet edhe ta përmirësojë objektin e kontratës. Gjithashtu, me enfiteozë mund të jepen veç pasuritë e paluajtshme. Ndërkohë, me qira jepen si pasuritë e paluajtshme ashtu dhe ato të luajtshme.
Pasuritë shtetërore u jepen me qira ose enfiteozë të tretëve nëpërmjet procedurës së konkurrimit,duke përjashtuar rastet konkrete të përcaktuara sipas të cilave, pasuritë shtetërore jepen pa konkurrim.
Nxitja e biznesit
Për objektet e dhëna me qira ose enfiteozë, me sipërfaqe mbi 200 m2, vlera e detyrimit mujor rillogaritet me zbritje, kur subjekti qiramarrës/enfiteozmarrës, vërteton nëpërmjet ekspertit kontabël të miratuar, se ka kryer investime në pasurinë e marrë me qira/enfiteozë për përmirësimin e saj, si dhe për blerje e instalim linjash, makinerish e pajisjesh në vlerat:
- investime mbi 50 milionë lekë, zbritja është 10%
- investime mbi 80 milionë lekë, zbritja është 20%
- investime mbi 100 milionë lekë, zbritja është 30%
- investime mbi 150 milionë lekë, zbritja është 40%
Ulja e vlerës së detyrimit mujor nga realizimi i investimeve, vlen deri në përfundimin e afatit të kontratës.
Kontrata me tarifën simbolike 1 euro
Pasuritë shtetërore me sipërfaqe mbi 500 m2, mund t’u jepen të tretëve me kontrata qiraje/enfiteoze për çmimin simbolik prej 1 euro/kontrata me Vendim të Këshillit të Ministrave, kur subjekti fitues nga konkurrimi, propozon të zhvillojë në pronën e fituar aktivitete nga një listë e miratuar me veprimtarit që konsiderohen strategjike për zhvillimin e vendit.