Drejtoresha Ekzekutive e Agjencisë Kombëtare të Diasporës priti z. Fatmir Behluli, president i Federatës së Shoqatave Shqiptare në Itali, organizatë e cila prej vitesh luan një rol të rëndësishëm në ruajtjen dhe promovimin e gjuhës shqipe, kulturës, traditave, veshjeve dhe zakoneve tona kombëtare në diasporë.
Gjatë takimit u vlerësua angazhimi i Federatës në forcimin e lidhjeve mes komuniteteve shqiptare dhe arbëreshe në Itali, si dhe bashkëpunimi i gjerë me shoqatat arbëreshe që veprojnë nga qendra deri në jug të vendit. Ky bashkëpunim përbën një shembull të vyer të ruajtjes së identitetit kombëtar dhe trashëgimisë kulturore shqiptare ndër breza.
Znj. Xhafa e falenderoi z. Behluli për përkushtimin dhe punën e palodhur në mbajtjen gjallë të gjuhës shqipe dhe vlerave tona kombëtare në komunitetet shqiptare dhe arbëreshe, duke theksuar se diaspora mbetet një urë e fuqishme lidhëse mes shqiptarëve kudo në botë.
Në fokus të bisedës ishte edhe rëndësia e afrimit të brezit të ri me kulturën dhe identitetin shqiptar përmes aktiviteteve kulturore, artistike dhe edukative, si dhe nevoja për të zgjeruar bashkëpunimin institucional në projekte që promovojnë historinë, traditat dhe figurat kombëtare shqiptare në Itali dhe më gjerë.

