Misioni dhe Detyrat

Misioni

Të përfaqësojë e nxisë politikat e bashkëpunimit dhe të ndërveprimit me të gjithë shqiptarët, duke nxitur e fuqizuar bashkëpunimin në të gjitha fushat me shqiptarët jashtë kufijve të Republikës së Shqipërisë dhe shtetet ku ata banojnë.

Agjencia Kombëtare e Diasporës, ka për mision zhvillimin dhe thellimin e bashkëpunimit institucional me diasporën, nëpërmjet:

  1. Përmirësimit të pozitës së anëtarëve të diasporës, si dhe mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të tyre në vendet ku ata jetojnë;
  2. Ofrimit të ndihmës për ruajtjen e trashëgimisë kulturore kombëtare;
  3. Nxitjes së bashkëpunimit ekonomik ndërmjet vendit të origjinës dhe diasporës;
  4. Bashkëpunimit për prosperitetin e të gjithë̈ kombit, paqen, mirëqenien, kulturën dhe solidaritetin shoqëror.

Detyrat

Detyrat e Agjencisë:

  1. Merr masa për krijimin e bazës unike të të dhënave të diasporës, në bazë të vullnetit të lirë të personit. Ruajtja dhe përpunimi i të dhënave personale bëhet në përputhje me legjislacionin në fuqi për mbrojtjen e të dhënave personale.
  2. Zbaton politika dhe projekte që lidhen me diasporën.
  3. Përgatit raporte periodike për veprimtarinë e Agjencisë, të cilat ia paraqet për miratim ministrit përgjegjës për diasporën.
  4. Përgatit dhe koordinon punën për hartimin dhe rishikimin e Strategjisë Kombëtare për Diasporën dhe ndjek zbatimin e saj.
  5. Mban lidhjet ndërmjet diasporës, përfaqësuesve të saj dhe vendit të origjinës.
  6. Përgjigjet për funksionimin dhe menaxhimin financiar të Agjencisë.
  7. Bashkëpunon dhe koordinon aktivitetet me institucionet shtetërore, shoqërinë civile dhe organizatat brenda dhe jashtë vendit, për përmirësimin e pozitës së diasporës në botë.
  8. Ndihmon në ruajtjen dhe zhvillimin e gjuhës, vlerave kombëtare dhe kulturore të diasporës.
  9. Informon diasporën mbi proceset politike në vendin e origjinës, me qëllim përfshirjen e tyre në jetën politike, ekonomike dhe kulturore të Republikës së Shqipërisë.
  10. Administron asetet që ka në dispozicion.