Në kuadër të përmbylljes së procesit të hartimit të Strategjisë së re Kombëtare të Diasporës 2026–2030, Planit të Veprimit dhe tabelës së indikatorëve, sot në ambientet e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme u zhvillua takimi me Donatorët dhe Partnerët Ndërkombëtarë.
Takimi mblodhi përfaqësues të organizatave partnere dhe institucioneve ndërkombëtare të përfshira në proces, për të prezantuar prioritetet strategjike dhe masat e parashikuara për periudhën 2026–2030, si dhe për të diskutuar mundësitë e bashkëpunimit dhe mbështetjes për zbatimin e tyre.
Gjatë diskutimeve u vlerësua puna e bërë deri tani, si dhe u theksua nevoja për një qasje më të drejtpërdrejtë strategjike ndaj kapaciteteve të shkëlqyera të diasporës shqiptare, të mbështetur në koordinim institucional, objektiva të matshme dhe mekanizma efektivë monitorimi, me fokus në përfshirjen e diasporës në zhvillimin ekonomik dhe social të vendit, qarkullimin e njohurive dhe ekspertizës, nxitjen e investimeve, ruajtjen e identitetit kombëtar dhe fuqizimin e rolit të të rinjve. Në qendër të diskutimeve ishin masat prioritare për forcimin e angazhimit të diasporës shqiptare, përmes krijimit të pikave të kontaktit dhe platformave digjitale, krijimin e një portali të integruar online për diasporën shqiptare me ekspertët e diasporës, zhvillimit të programeve të shkëmbimit profesional, transferimit të njohurive dhe mobilizimit të kapitalit njerëzor shqiptar jashtë vendit.
Në fokus ishin gjithashtu forcimi i strukturave të pushtetit lokal për diasporën, përmirësimi i mekanizmave të konsultimit dhe pjesëmarrjes, fushatat informuese mbi migracionin dhe lehtësimi i qasjes në informacion e shërbime për shtetësinë, duke përfshirë edhe mbështetjen për komunitetet arbëreshe.
Falënderojmë të gjitha organizmat ndërkombëtare partnere dhe institucionet pjesëmarrëse për kontributin dhe angazhimin e tyre.
Një falënderim i veçantë për IOM Albania dhe GIZ Albania për mbështetjen e vazhdueshme profesionale dhe kontributin e tyre të çmuar gjatë gjithë procesit.



