Sot po zhvillohet Takimi i Mjekësisë në Diasporë, një takim i veçantë dedikuar profesionistëve në fushën e mjekësisë, përfshirë mjekë shqiptarë me veprimtari profesionale në Diasporë dhe mjekë nga Diaspora që janë rikthyer në vendin e origiinës. Ky takim zhvillohet për herë të parë nga Agjencia Kombëtare e Diasporës, në bashkëpunim me Ministrin e Shtetit për Diasporën, Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, dhe Fondin Shqiptar për Zhvillimin e Diasporës.

Ministri i Shtetit për Diasporën, z. Pandeli Majko në fjalën përshëndetëse falenderoi pjesëmarrësit për prezencën e tyre në takim duke theksuar rëndësinë që ka Diaspora shkencore në zhvillimin e vendit. “Anëtarët e Diasporës vazhdojnë të kontribuojnë në rritjen e kapaciteteve profesionale dhe institucionale jo vetëm me rikthimin e tyre në Shqipëri, por edhe përmes “kthimit virtual”. Bashkëpunimi me kolegët e tyre në vendin e origjinës krijon një sinergji profesionale e institucionale me rrjetet dhe shoqatat e profesionistëve në vendet e Bashkimit Europian, ShBA, e vende të tjera të zhvilluara”, u shpreh ministri Majko.

Këtë aktivitet me rëndësi të veçantë e përshëndeti edhe Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, znj. Ogerta Manastirliu, e cila e vlerësoi rikthimin e disa prej mjekëve në Shqipëri për të kontribuar në vendin e tyre me patriotizëm dhe sakrificë. “Janë modelet më të mira që na bëjnë krenar dhe ne duhet të vijmë me një paketë mbështetjeje për rikthimin e mjekëve në Shqipëri”, u shpreh ministrja.

Gjithashtu, dy personalitete të njohuara të fushës së mjekësisë, Rektori i Universitetit të Mjekësisë, Prof. Dr. Arben Gjata dhe Presidenti i Urdhrit të Mjekut, Dr. Fatmir Brahimaj përshëndetën këtë takimi duke theksuar rëndësinë që ka angazhimi i Diasporës shqiptare në veprimtarinë akademike si mbështetja me zbatimin e projekteve apo në mësimdhënie.

Diskutimet po vijojnë me zhvillimin e dy paneleve: “Politikat dhe programet e punësimit në sektorin e shëndetësisë” dhe “Inovacionet në shëndetësinë shqiptare & raste suksesi”.

Këto forma organizimi mund të kanalizojnë më mirë përpjekjet dhe kontributet e Diasporës shqiptare për zhvillimin e vendit.