Sot, në ambientet e Kryeministrisë, u mbajt takimi i Grupit të Koordinatorëve për zbatimin e Planit të Strategjisë për Diasporën (2018-2024). Grupi i Koordinatorëve është përgjegjës për bashkërendimin e punës me zbatimin e masave të Planit të Veprimit të Strategjisë në institucionet përkatës.
Çështjet kryesore të rendit të ditës ishin hartimi i projektit të buletinit të dytë; parashikimi i fondit për zbatimin e masave nga institucionet përkatës; ecuria e zbatimit të masave, si dhe vlerësime nga anëtarët e Grupit të Koordinatorëve lidhur me zbatimin e masave.
Anëtarët e Grupit të Koordinatorëve nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ministria e Ekonomisë dhe Financave, Ministria e Kulturës dhe INSTAT, diskutuan mbi disa problematika lidhur me zbatimin e masave në fushat e tyre të kompetencës. Në fjalën e tij, Ministri i Shtetit për Diasporën, z. Pandeli Majko, falënderoi të gjithë anëtarët për bashkëpunimin dhe risolli në vëmendje se progresi mbi zbatimin e masave të Planit të Veprimit do të reflektohet në hartimin e buletinit të dytë, i cili do të publikohet në dhjetor 2018.
Publikuar: 13 nëntor 2018