Sot, në ambientet e Kryeministrisë, u mbajt takimi i dytë i Komitetit Shtetëror për Diasporën. Misioni i Komitetit të drejtuar nga Kryeministri, e që ka në përbërje Ministrat kryesorë, është përgatitja e linjave orientuese për politikat e reja në fushën e diasporës, propozimi i mekanizmave ligjorë dhe institucionalë për përmirësimin e pozitës së shqiptarëve jashtë vendit, si dhe nxitjen e dialogut dhe koordinimit për zbatimin e strategjisë.

Në mbledhjen e dytë të Komitetit ishte i pranishëm Kryeministri z. Edi Rama dhe anëtarët e tjerë të Komitetit, Ministrja e Kulturës, Znj. Mirela Kumbaro, Ministrja e Drejtësisë znj. Etilda Gjoni, Ministrja e Arsimit, Sportit, dhe Rinisë, Znj. Lindita Nikolla, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Genti Sejko etj.

Përpara anëtarëve të Komitetit, z. Majko prezantoi programin e samitit të dytë të diasporës që do të zhvillohet në datat 28 shkurt – 2 mars; ecurinë e ndërtimit të strukturës shtetërore përfshirë Buletinin e Strategjisë Kombëtare për Diasporën; kandidaturat e Këshillit Koordinues të Diasporës; dhe buxhetin e Agjencisë Kombëtare të Diasporës dhe Qendrës së Botimeve për Diasporën.