Sot, në Kryeministri, u mbajt takimi i dytë i Grupit të Koordinatorëve për Zbatimin e Planit të Strategjisë për Diasporën (2018-2024) . Grupi i Koordinatorëve, i përbërë nga përfaqësues të Ministrit të Shtetit për Diasporën, Agjencisë Kombëtare për Diasporën dhe nga zëvendësministrat e ministrive te linjës si edhe dy ekspertë të fushës, është përgjegjës për bashkërendimin e punës me zbatimin e masave të Planit të Veprimit të Strategjisë në institucionet përkatës.
Çështjet kryesore të rendit të ditës ishin vlerësime dhe sugjerime nga anëtarët e Grupit të Koordinatorëve lidhur me buletinin e parë për zbatimin e masave dhe planifikimi i buxhetit të nevojshëm të institucioneve përkatëse për zbatimin e tyre.
Anëtarët e Grupit të Koordinatorëve, përfshirë përfaqësuesit nga INSTAT, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Ministria e Ekonomisë dhe Financave, diskutuan mbi disa problematika lidhur me zbatimin e masave. Ndërkohë, në fjalën e tij, Ministri i Shtetit për Diasporën, z. Pandeli Majko, u kërkoi institucioneve përkatëse planifikimin e buxhetit për aktivitetet e parashikuara në masat e Planit të Veprimit.
Ministri Majko, në përfundim të takimit, falënderoi të gjithë të pranishmit për kontributin e tyre dhe risolli në vëmendje se progresi mbi zbatimin e masave të Planit të Veprimit do të reflektohet në hartimin e një buletini çdo tre muaj.