Me urimin për një muaj sa më të mbarë, kemi kënaqësinë të ndajmë me ju këto pamje kaq interesante të marra nga një aktivitet i veçantë kulturor zhvilluar në ambientet prestigjioze të Universitetit të Harvard-it në datën 25 prill, i organizuar nga Fondacioni Tradita Popullore, me mbështetjen e Agjencisë Kombëtare të Diasporës, në bashkëpunim me Harvard Albanian Students Association.

Ky është një zinxhir i vyer eksperiencash që e nisëm vitin e kaluar me Shoqatën e Studentëve Shqiptarë në Westminster University, UK, vijon këtë vit me studentët e shkëlqyer të Harvard University dhe do ta çojmë përpara kudo ku shkëlqejnë yjet shqiptare në botë, me përkushtimin për të forcuar urat lidhëse mes Shqipërisë dhe bijve e bijave të saj në çdo cep të globit.

Ky event solli në qendër të vëmendjes pasurinë e jashtëzakonshme të trashëgimisë kulturore shqiptare, duke promovuar vlerat tona kombëtare përpara studentëve, akademikëve dhe komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Programi artistik dhe kulturor përfshiu interpretim me fyell, prezantime mbi veshjet tradicionale shqiptare, valle popullore nga treva të ndryshme shqiptare, si dhe referate mbi rëndësinë e trashëgimisë sonë shpirtërore e materiale.

Në këtë aktivitet përshëndeti edhe Drejtoresha Ekzekutive e Agjencisë Kombëtare të Diasporës, znj. Ermonela Xhafa, e cila theksoi rëndësinë e ruajtjes së identitetit kombëtar, forcimit të lidhjeve me diasporën shqiptare dhe rolit të të rinjve në të ardhmen e vendit.

Pak ditë më parë, në Tiranë u zhvillua Samiti i 4-t i Diasporës, i cili rikujtoi qartë se zhvillimi i Shqipërisë nuk mund të mendohet pa energjinë, dijen, investimet dhe përkushtimin e shqiptarëve jashtë kufijve. Në diskutime dhe panele u theksua veçanërisht rëndësia e përfshirjes së të rinjve dhe studentëve, si ura lidhëse mes Shqipërisë dhe botës, si kontribuues kyç në ndërtimin e një të ardhmeje më të qëndrueshme dhe inovative.

Sot, thirrja jonë shkon jo vetëm për të rinjtë shqiptarë në Harvard dhe për të gjithë të rinjtë tanë anembanë botës: ky është momenti juaj për të ndërvepruar dhe për të kontribuar aktivisht me institucionet në dheun amë.

Në faqen zyrtare dhe në rrjetet sociale të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme (MEPJ) do të gjeni të publikuara mundësi konkrete për profesionistët që synojnë të bëhen pjesë e forcimit të shërbimit të jashtëm dhe të rrugëtimit evropian të Shqipërisë.

Këto nuk janë thjesht mundësi — janë hapa realë drejt ndikimit, drejt diplomacisë dhe drejt ndërtimit të së ardhmes evropiane të vendit tonë.

Angazhohu. Kontribuo. Ndiko.
Shqipëria ka nevojë për energjinë dhe vizionin tënd!