Shqipja, një shtëpi që fëmijët e marrin me vete kudo në botë
Në çdo fjalë shqipe që mëson një fëmijë larg atdheut, jeton diçka nga historia e familjes së tij: zëri i gjyshërve, kujtimet e prindërve, emri i vendit prej nga vjen. Në klasat e diasporës, kjo lidhje merr jetë falë përkushtimit të mësuesve, që e mbajnë gjuhën amtare pranë brezave të rinj.
Me këtë frymë, Drejtoresha Ekzekutive e Agjencisë Kombëtare të Diasporës, znj. Ermonela Xhafa, mirëpriti znj. Klarita Selmanaj kryetare e Lidhjes së Mësuesve të Gjuhës Shqipe në Greqi dhe zj. Etleva Mançe, mësuese e Gjuhës Shqipe dhe koordinatore e arsimit për Landin e Vestfalisë-Veriore, Gjermani.
Fillimi i vitit të ri shkollor 2026–2027, veprimtaritë e planifikuara dhe përvojat e digjitalizimit në mësimdhënie ishin në qendër të bashkëbisedimit. Si mund të bëhet ora e shqipes më e afërt, më tërheqëse dhe më e gjallë për fëmijët që rriten mes dy gjuhëve e kulturave?
Në Greqi, mësimi plotësues i gjuhës shqipe zhvillohet përmes kurseve të organizuara nga Lidhja e Mësuesve Shqiptarë në Greqi. Për vitin shkollor 2026–2027, rrjeti i Lidhjes përfshin 54 kurse, 93 klasa, 80 mësues aktivë dhe 926 nxënës; regjistrimet janë në vijim. Në takim, kryetarja e Lidhjes znj. Selmanaj, ndau përvojën dhe nevojat e mësimit plotësues të shqipes në Greqi.
Në landin e Nordrhein-Westfalen (NRW), në Gjermani, shqipja është një ndër 32 gjuhët e prejardhjes që mësohen në shkolla. Interesimi në rritje i komunitetit shqiptar është një nxitje për të afruar edhe më shumë fëmijë me gjuhën amtare, duke u dhënë hapësirë ta njohin, ta flasin dhe ta ndiejnë si pjesë të jetës së tyre.
Pas çdo ore mësimi qëndron puna e një mësuesi. Prandaj, vëmendje të veçantë morën sfidat e tyre të përditshme dhe nevoja për tekste e materiale të përshtatshme, që e ndihmojnë fëmijën ta zbulojë shqipen me kureshtje dhe dëshirë.
Gjatë takimit u diskutua dhe për projektet dhe bashkëpunimet e mundshme për vitin 2027, me fokus të veçantë tek forcimi i lidhjeve mes shkollave shqipe në diasporë.
Një nga mundësitë e identifikuara do të jenë dhe organizimi i shkëmbimeve të eksperiencave dhe praktikave të mira mes shkollave shqipe në Greqi, Gjermani, Itali dhe Zvicër etj., me synim ndarjen e modeleve të suksesshme në mësimdhënie, ruajtjen dhe promovimin e gjuhës shqipe, si dhe përfshirjen më të madhe të fëmijëve dhe komuniteteve shqiptare.
Agjencia Kombëtare e Diasporës vlerëson përkushtimin e mësuesve që, përmes fjalës shqipe, u përcjellin brezave të rinj kulturën, kujtesën dhe ndjenjën e përkatësisë.
Sepse një fëmijë që mëson shqip ka edhe një mënyrë më shumë për t’u ndier pranë shtëpisë.
Altin Selimi2026-11-24T09:57:07+01:00