Samiti i Gruas së Diasporës Shqiptare, është një kauzë e rëndësishme, që mbledh bashkë gratë shqiptare të suksesshme nga diaspora. Në datat 11-12 tetor 2024 u organizua Samiti i V-të me mbështetjen e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Dhomës së Biznesit të Diasporës dhe Agjencisë Kombëtare të Diasporës. Ky event, i mbajtur në Tiranë, shënoi një moment kyç për promovimin e rolit të grave në avancimin e Shqipërisë drejt integrimit europian, nën moton “Leading the Way to the European Union.”

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, z.Igli Hasani, gjatë fjalës së tij në Samitin e Pestë të Gruas së Diasporës Shqiptare, vuri theksin te rëndësia e angazhimit të grave të diasporës në procese të rëndësishme për të ardhmen e vendit, sidomos në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Ai nënvizoi se diaspora shqiptare ka përjetuar një rrugëtim të gjatë dhe vota e tyre në zgjedhjet e pranverës do të shënojë një moment historik për demokracinë në Shqipëri. “Vota e diasporës është jo vetëm një e drejtë kushtetuese, por edhe një akt që i rikthen komunitetit shqiptar jashtë vendit një borxh të vjetër. Diaspora ka qenë gjithmonë një pjesë thelbësore e kombit tonë, dhe më në fund, ata do të kenë mundësinë të kontribuojnë drejtpërdrejt në të ardhmen e vendit,” tha ai.

Ministri gjithashtu vlerësoi përparimet që janë bërë në krijimin e Regjistrit të Diasporës së Kualifikuar, i cili do të përfshijë ekspertë dhe profesionistë nga diaspora për të mbështetur zhvillimin e vendit. Ai theksoi se angazhimi i të kualifikuarve nga diaspora është një prioritet për qeverinë dhe strukturat e saj, duke përmendur bashkëpunimin me institucione ndërkombëtare për zbatimin e programeve të reja zhvillimore.

Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme, znj.Silda Çepe, gjatë fjalimit të saj në Samitin e Pestë të Gruas së Diasporës Shqiptare, vlerësoi rolin kyç që gratë në diasporë luajnë në zhvillimin e kombit. Ajo theksoi se këto gra janë promotore të progresit të Shqipërisë.

Drejtoresha ekzekutive e Agjencisë Kombëtare të Diasporës znj. Ermonela Xhafa, në fjalën e saj në Samitin e V-të të Gruas së Diasporës Shqiptare, theksoi rëndësinë që Agjencia i kushton projekteve dhe nismave që fuqizojnë gratë e diasporës dhe i bëri thirrje pjesëmarrëseve dhe gjithë diasporës të angazhohen aktivisht me Agjencinë për të ndarë përvojat dhe idetë e tyre. “Ne jemi këtu për ju, për të ndihmuar në realizimin e qëllimeve dhe projekteve që forcojnë lidhjet mes Shqipërisë dhe diasporës. Mos hezitoni të na kontaktoni për çdo bashkëpunim të mundshëm. Duke pasur parasysh që Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme është një derë e hapur, për të gjithë” theksoi znj.Xhafa në përmbyllje të fjalimit të saj.

Samiti i V-të i Gruas Shqiptare të Diasporës vijoi me panele të ndryshme diskutimi, ku përfaqësuese të grave të suksesshme në biznes, politikë, kulturë dhe shkencë ndanë përvojat e tyre, duke ofruar një frymëzim të madh për gratë shqiptare kudo në botë.