Me këtë album fotosh nga Samiti i IV i Diasporës Shqiptare, ju ftojmë të rikthejmë së bashku emocionet, momentet dhe energjinë e këtyre ditëve të veçanta.

Samiti i IV i Diasporës Shqiptare, i zhvilluar në datat 13, 14 dhe 15 prill në Tiranë, shënoi një moment të rëndësishëm bashkëpunimi, ku zërat e diasporës u bënë pjesë aktive e diskutimit për të ardhmen e përbashkët.

Nuk ishte thjesht një aktivitet, ishte një rikthim tek rrënjët, një bashkim zemrash dhe një dëshmi e fortë se shqiptarët, kudo që jetojnë, mbeten një.

Gjatë këtyre ditëve, ne folëm, ju dëgjuat; ju folët, ne mbajtëm shënim.

Çdo ide, çdo mendim dhe çdo përvojë e ndarë nga ju nuk ishte thjesht pjesë e diskutimit, por një kontribut i vyer për të ardhmen e përbashkët.

Ky Samit i dha zë diasporës, si një forcë që nuk qëndron në distancë, por që kontribuon, ndërton dhe frymëzon. Nga zhvillimi ekonomik te turizmi, nga inovacioni te arsimi, çdo diskutim kishte në qendër ju: energjinë, përvojën dhe dashurinë tuaj për Shqipërinë.

Një moment i veçantë ishte edhe ceremonia e ndarjes së çmimeve për diasporën, ku Presidenti Begaj dekoroi personalitete të shquara nga diaspora, duke i vlerësuar shqiptarët jashtë vendit si ambasadorët më të mirë të shqiptarisë, ndërsa Kryeministri Rama akordoi çmimin “Shqiponja e Artë” për figura dhe kontribues të spikatur.

Gjithashtu, një kontribut të vyer në këtë Samit dhanë edhe anëtarët e Këshillit Koordinues të Diasporës, të cilët me praninë dhe angazhimin e tyre reflektuan rëndësinë e përfaqësimit dhe forcimit të dialogut të qëndrueshëm me diasporën.

Mbrëmja festive solli bashkë shqiptarë nga çdo cep i globit, në një atmosferë që nuk kishte nevojë për shumë fjalë sepse ndjenja e përkatësisë ishte e përbashkët për të gjithë.

Shumë shpejt, konkluzionet e këtij Samiti do të publikohen, si një reflektim i zërit tuaj. Ju ftojmë t’i lexoni, të ndërveproni dhe të vazhdoni këtë rrugëtim së bashku me Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe Agjencinë Kombëtare të Diasporës.

Ashtu siç u theksua nga Ministri Hoxha: “Me Diasporën, për Diasporën”.

Ky nuk është vetëm një mesazh, por një angazhim i përbashkët për të ndërtuar ura të qëndrueshme bashkëpunimi dhe për ta kthyer diasporën në një partner kyç të zhvillimit të Shqipërisë.