Drejtoresha Ekzekutive e Agjencisë Kombëtare të Diasporës, znj. Sonila Hysi zhvilloi sot një takim me përfaqësues të Shoqatës Bashkimi i Shqiptarëve të Ukrainës dhe z. Koçi Tahiri, Kryetar i Shoqatës Atdhetare Kulturore “Besëlidhja Gorare”, Qarku Korcë. Gjatë takimit u diskutua për nismat e ndërmarra nga AKD dhe bashkëpunimin me komunitetin shqiptar në Ukraninë. Qëllimi i këtij takimi është zgjerimi i urave të komunikimit dhe zhvillimi i programeve të përbashkëta.

Agjencia Kombëtare e Diasporës në zbatim të programeve që ka për shqiptarët e Ukrainës ka realizuar memorandum bashkëpunimi me qëllim krijimin e Qendrës së Informacionit të Shqipërisë në Universitetin e Izmailit, kjo për të nxitur organizimin e aktiviteteve të përbashkëta në ruajtjen e gjuhës shqipe, kulturës, traditave dhe trashëgimisë kulturore shqiptare në Ukrainë. Gjithashtu, gjatë vitit 2019, Agjencia Kombëtare e Diasporës në bashkëpunim me Ansamblin Kombëtar të Operas dhe Baletit ka realizuar disa cikle takimesh për tu mësuar vallet tradicionale shqiptare anëtareve të komunitetit shqiptar në Ukrainë.