Revista “Marrëveshjet Shtetërore në Fushën e Sigurimeve për Shtetasit Shqiptarë Jashtë Vendit” është botim i veçantë elektronik i Agjencisë Kombëtare të Diasporës.
Botimi i revistës lidhet me dhënien e informacionit të plotë për publikun për marrëveshjet ndërshtetërore të Republikës së Shqipërisë me shtetet pritëse të komuniteteve shqiptare për njohjen e ndërsjellët të kontributeve të sigurimeve shoqërore (për pensionet).
Marrëveshjet shtetërore në fushën e sigurimeve për shtetasit shqiptarë jashtë ven-dit, të nënshkruara nga Republika e Shqipërisë me vende të tjera për mbrojtjen sociale, garantojnë transferimin e pensioneve të pleqërisë së bashku me përfitimet e tjera të sigurimeve shoqërore. Ato i garantojnë përfituesit, përfitimin e pensionit sipas viteve të punës që kanë të regjistruar në shtetet palë të marrëveshjeve.
Në revistë është përfshirë raportimi vjetor për vitin 2020 i koordinatorit shtetëror për marrëveshjet shtetërore në fushën e sigurimeve për shtetasit shqiptarë jashtë vendit të zëvendësministrit për evropën dhe punët e jashtme, zotit Sokol Dedja. Në këtë raportim vlerësohet situata e negociatave dhe ecuria e tyre gjatë vitit 2020 në lidhje me shtetet, të cilat Republika e Shqipërisë akoma nuk ka nënshkruar marrëveshje dypalëshe.
Në botimin elektronik të revistës gjenden tekstet e plota të marrëveshjeve të nënshkruara nga Republika e Shqipërisë në fushën e sigurimeve për shtetasit shqiptarë jashtë vendit me Republikën e Turqisë, Mbretërinë e Belgjikës, Republikën e Hungarisë, Republikën e Rumanisë, Dukatin e Madh të Luksemburgut, Republikën e Maqedonisë së Veriut, Republikën Ceke, Republikën Federale të Gjermanisë, Republikën e Austrisë, Republikën e Kosovës dhe Kanadanë.
Revistën e plotë mund ta gjeni në linkun e mëposhtëm:
Marrëveshjet Shtetërore në Fushën e Sigurimeve për Shtetasit Shqiptarë Jashtë Vendit