Samiti i Dytë i Diasporës u mbyll me ceremoninë e dhënies për herë të parë të çmimit “Ambasador i Kombit“, disa prej aktivistëve më të dedikuar ndaj komunitetit shqiptar në botë. Të integruar në vendin ku jetojnë, por po aq te dedikuar ndaj ruajtjes së vendit të origjinës, gjuhës, kulturës dhe traditës shqiptare, janë këta individë, puna e vazhdueshme e të cilëve bën që të mos harrohet Shqipëria në komunitetet ku jetojnë, e sidomos të kultivohet te brezat dytë dhe të tretë të fëmijëve të familjeve shqiptare në botë.
Një vlerësim të veçantë gjatë kësaj mbrëmjeje morën edhe mësuesit shqiptarë në Diasporë, pasi janë ata më së shumti që punojnë me fëmijët për ruajtjen e gjuhës shqipe. Vetëm mësuesit që do të jenë pjesë e regjistrit shtetëror të mësuesve të gjuhës shqipe, sipas kritereve të përcaktuara ne vendimin e Këshillit të Ministrave do të kenë të drejtën të japin mësimin e gjuhës shqipe. Nga ana tjetër edhe nxënësit do të pajisen me një certifikatë në përfundimi të klasës së gjuhësh shqipe. Kjo nismë e ministrit të Shtetit për Diasporën është hapi i radhës në procesin e unifikimit të mësimit të gjuhës shqipe në Diasporë.