Sot, drejtoresha ekzekutive e Agjencisë Kombëtare të Diasporës, znj. Sonila Hysi dhe presidenti i Urdhrit të Stomatologut në Shqipëri, z. Nikoll Deda, kanë firmosur një memorandum bashkëpunimi për nxitjen e bashkëpunimit të Diasporës shqiptare dhe promovimin e vlerave të saj në fushën e stomatologjisë.

Nëpërmjet këtij memorandumi këto dy institucione do të bashkëpunojnë për realizimin e rrjetëzimit të profesionistëve shqiptarë në fushën e stomatologjisë në Diasporë, me qëllim krijimin, koordinimin dhe përditësimin e bazës së të dhënave mbi stomatologët dhe ndihmës-stomatologët shqiptarë, që ushtrojnë profesionin e tyre brenda dhe jashtë vendit.
Gjithashtu synohet të vendosen dhe forcohen urat e bashkëpunimit, nëpërmjet organizimit të aktiviteteve të përbashkëta dhe veprimtarive shkencore, me qëllim rritjen e standardeve profesionale.

Nxitja e politikave të “turizmit dentar” në Shqipëri për anëtarët e komuniteteve shqiptare në diasporë me qëllim forcimin e lidhjeve me vendlindjen dhe politikat e turizmit në Shqipëri është një tjetër pikë e këtij memorandumi. Ndërsa në pjesën integrale të tij janë specifikuar me hollësi fushat e bashkëpunimit, ku palët angazhohen plotësisht në përmbushjen dhe realizimin e qëllimit të këtij akti të nënshkruar.

Memorandumin e plotë mund ta lexoni këtu:

MEMORANDUM BASHKËPUNIMI NDËRMJET AGJENCISË KOMBËTARE TË DIASPORËS DHE URDHRIT TË STOMATOLOGUT TË SHQIPËRISË, datë 05.03.2021