Me propozimin e ministrit të Shtetit për Diasporën, Këshilli i Ministrave ka miratuar Vendimin Nr. 419, datë 27/05/2020 “Për miratimin e programit shtetëror për mbështetje në fuqizim dhe angazhim të diasporës shqiptare”.

Programi ka për qëllim të zgjerojë mundësitë socio-ekonomike dhe perspektivat për gratë dhe burrat në Shqipëri, si dhe të përmirësojë jetesën e tyre duke rritur nivelin e angazhimit të Diasporës shqiptare.

Realizimi i programit do të arrihet përmes bashkëpunimit të Ministrit të Shtetit për Diasporën me institucionet qeveritare të niveleve të ndryshme me qëllim zhvillimin e instrumenteve për t’u angazhuar në mënyrë aktive me anëtarët dhe organizatat e Diasporës.

Gjithashtu, bashkitë do të harmonizojnë strategjitë e zhvillimit me Strategjinë e Diasporës Shqiptare, do të ofrojnë shërbime më të mira dhe më të shumta në numër për anëtarët e diasporës, dhe do të nxisin iniciativat e komunitetit për të tërhequr njohuritë dhe investimet e diasporës.

Përmes transferimit të njohurive dhe aftësive nga partnerët e diasporës, do të mundësohet rritja e investimeve të përbashkëta me sektorin privat në Shqipëri, duke krijuar kështu vende të reja pune.

Ky program shtetëror do të marrë në konsideratë të gjithë faktorët e rëndësishëm dhe do të zbatojë masa për të siguruar angazhimin e pavarur të të gjithë anëtarëve të Diasporës.
Vendimin e plotë mund ta lexoni këtu:
VENDIM Nr. 419, PËR MIRATIMIN E PROGRAMIT SHTETËROR PËR MBËSHTETJE NË FUQIZIM DHE ANGAZHIM TË DIASPORËS SHQIPTARE, datë 27. 5. 2020

Programin shtetëror për mbështetje në fuqizim dhe angazhim të Diasporës shqiptare e gjeni në link-un më poshtë:
PROGRAMIN SHTETËROR PËR MBËSHTETJE NË FUQIZIMIN DHE ANGAZHIMIN E DIASPORËS SHQIPTARE