Në kuadër të Ditës Kombëtare të Diasporës në Shqipëri, më 18 dhjetor, u zhvillua mbledhja e parë e Këshillit Koordinues të Diasporës, me qëllim diskutimin për ecurinë e mëtejshme të punës dhe funksionimin e këtij Këshilli.

Mbledhja u hap nga Ministri i Shtetit për Diasporën, z. Pandeli Majko, i cili në fjalën e tij, falënderoi anëtarët e Këshillit për kontributin e tyre të deritanishëm.
Më tej, ministri Majko theksoi se Këshilli Koordinues i Diasporës është një strukturë e re, e cila funksionon për herë të parë në historinë e shtetit shqiptar dhe synon mbrojtjen dhe forcimin e marrëdhënieve me Diasporën shqiptare.
“Diaspora shqiptare jep një kontribut me rëndësi në zhvillimin e vendit të origjinës në të gjitha fushat, përfshirë arsimin, kulturën dhe ekonominë”, tha ministri.

Mbledhja u drejtua nga anëtari i Këshillit, z. Mark Gjonaj, i cili u ndal tek rëndësia e Diasporës shqiptare në fusha të ndryshme të vendit dhe angazhimin që duhet të kenë anëtarët e këtij Këshilli në forcimin e marrëdhënieve të Diasporës me institucionet shtetërore shqiptare.

Takimin e përshëndeti Presidenti i Republikës së Shqipërisë, z. Ilir Meta dhe Kryeministri i Shqipërisë, z. Edi Rama, të cilët theksuan rolin e Diasporës si thesar i çmuar i Shqipërisë dhe solidaritetin dhe kontributin e saj me familjet e prekura nga tërmeti.

Gjithashtu, pjesë e takimit ishte edhe Drejtuesi i Operacionit të Emergjencës rreth situatës së pas tërmetit, z. Bledi Çuçi, i cili bëri një përmbledhje të shkurtër të menaxhimit të situatës pas tërmetit në Shqipëri, përfshirë shpëtimin, trajtimin shëndetësor, strehimin e qytetarëve dhe vlerësimin e dëmeve.

Me rëndësi, nga kjo mbledhje ishte miratimi i Rregullores së Këshillit dhe zgjedhja e drejtuesve të tij. Anëtarët zgjodhën si kryetar z. Mark Gjonaj, nënkryetare znj. Anila Hyka Smorgrav si dhe sekretare znj. Adriana Fishta-Bejko.

Këshilli Koordinues i Diasporës, i përbërë nga 15 anëtarë, të cilët kanë status të veçantë, është krijuar me qëllim nxitjen e një bashkëpunimi më të afërt mes institucioneve shtetërore me komunitetet shqiptare kudo në botë.