Ministri i Shtetit për Diasporën, z. Pandeli Majko, po merr pjesë në konferencën dyditore “The Central and Eastern European Forum 2020“, e cila po zhvillohet në Vjenë të Austrisë. Fokusi i konferencës është perspektiva ekonomike e shteteve të Evropës Qendrore dhe Lindore në vitin 2020.

Gjatë fjalës së tij në panelin “Albanians going international”, ministri Majko u ndal tek roli i remitancave si burim i të ardhurave për vendet në zhvillim, përfshirë edhe Shqipërinë.

“Remitancat në Shqipëri kanë ndikuar në përmirësimin e standardit të jetesës së familjeve, të cilat përfitojnë nga këto dërgesa. Ato janë burim i rëndësishëm i zhvillimit të vendit, ndaj sot sektori privat dhe publik në Shqipëri është përqëndruar në krijimin e një bashkëpunimi të ngushtë me anëtarët e Diasporës”, është shprehur ministri.

Gjatë prezantimit, ministri Majko u ndal dhe në veprimtarinë e Fondit Shqiptar për Zhvillimin e Diasporës dhe Dhomës së Biznesit të Diasporës, kjo e fundit e krijuar gjatë muajit nëntor të 2019-ës. Këto institucione shërbejnë si mekanizma për angazhimin e Diasporës në zhvillimin e Shqipërisë, përmes nxitjes dhe mbështetjes së kapitalit të tyre investues në vend.

Prej 25 vitesh, konferenca “The Central and Eastern European Forum 2020“ mbledh politikëbërës, investitorë, drejtues biznesesh dhe ekspertë të ekonomisë, për të diskutuar çështje të rëndësishme për ekonominë e vendeve të rajonit.