Dje, anëtarët e Këshillit Koordinues të Diasporës (KKD) zhvilluan mbledhjen e dytë zyrtare online. Në mbledhje morën pjesë ministri i Shtetit për Diasporën, z. Pandeli Majko, dhe Drejtorja Ekzekutive e Agjencisë Kombëtare të Diasporës, znj. Sonila Hysi.
Që prej krijimit të Këshillit, anëtarët e tij kanë bashkëpunuar dhe janë angazhuar vazhdimisht për çështjet që kanë të bëjnë me përfaqësimin e interesave të shqiptarëve të larguar nga vendlindja dhe forcimin e marrëdhënieve të tyre me Shqipërinë.
Sipas rendit të ditës, diskutimi u hap nga Kryetari i KKD-së, z. Mark Gjonaj, për të vijuar më tej me një fjalë përshëndetëse nga ministri Majko, i cili theksoi rëndësinë e kësaj strukture përfaqësuese, me anëtarë nga Kanadaja në Australi.
Ndër çështjet kryesore të diskutimit ishin raportimi i grupeve të punës që mbulojnë çështjet e medias dhe komunikimit, edukimit dhe kulturës, ekonomisë dhe Kuvendit Mbarëkombëtar të Diasporës 2021, dhe ecuria e punës mbi garantimin e të Drejtës së Votës për Diasporën.
Së fundi, anëtarët vendosën për takimin e tretë zyrtar të Këshillit, i cili do të organizohet në datën 30 gusht 2020.