Të nderuar pjesëmarrës
Më lejoni të shpreh kënaqësinë e organizimit të një aktiviteti kaq të veçantë si Samiti i Grave të Biznesit.
Qëllimin e këtij aktiviteti e konsideroj praktik dhe të rëndësishëm. Në shoqërinë shqiptare, protagonizmi i gruas në jetën publike vlerësohet si një akt antithemelues. Në këtë shoqëri, si rregull, burrat kërkojnë falje por, si rregull, nuk marrin leje.
Në kuadrin social shqiptar, ne burrat nuk kemi humbur ndonjë “betejë” me gratë. Ajo që kemi humbur, ka qenë beteja me veten.
Ky aktivitet vlen të diskutojë atë pamje të çekulibruar të midis asaj që ekziston dhe projekteve të së ardhmes për protagonizmin e gruas shqiptare në shoqëri.
Në muajin nëntor të vitit të kaluar inaguruam fillimin e punës të Dhomës së Biznesit të Diasporës në Shqipëri. Aktiviteti i parë nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit të Diasporës për këtë vit po organizohet me një emër ambicioz siç është ai i Samitit të Grave të Biznesit. Dëshira dhe qëllimi është që ky aktivitet të jetë i përvitshëm.
Vitin e kaluar përveç organizimit të Samitit të Dytë të Diasporës shqiptare u formalizua Këshilli Koordinues i Diasporës Shqiptare me përfaqësues nga Australia, Europa, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe, Turqia dhe Kanadaja.
Takimi i sotëm është një pohim jo vetëm ekonomik por edhe për jetën sociale të shoqërisë tonë. Ai lidhet me faktin se gratë janë motori kryesor i ekonomisë shqiptare, si konsumatore, menaxhere dhe drejtuese. Organizimi i sotëm kërkon të nxisë trajtimin e cilësisë së sipërmarrjes së grave në diasporë.
Të nderuara pjesmarrëse
Për herë të parë, nga viti 2013 në raportet ndërkombëtare filloi të vlerësohej ndikimi i grave si sipërmarrëse në ritmin e ekonomisë botërore. Sot sipas raporteve serioze te publikuar në vitin 2019 janë afërsisht 252 milionë gra sipërmarrëse në mbarë botën, nga të cilat 153 milionë drejtojnë sipërmarrje të konsoliduara. Këto janë shifra që tregojnë shumë.
Në Shqipëri, bizneset e vogla dhe të mesme, përbëjnë bazën e ekonomisë kombëtare. Rreth 28% e tyre janë sipërmarrje që protagoniste kanë gratë. Shqipëria është akoma larg mesatares të Bankës Botërore por ecuria në vazhdim është pozitive. Jashtë këtij procesi nuk mund të shmanget e pashmangshmja. Kjo është cilësia e grave të biznesit nga komunitetet shqiptare në diasporë.
Me rastin e krizës ekonomike në Grqinë fqinje një numër i madh familjesh shqiptare u kthyen në atdhe. Në një masë të madhe nga vlerësimi i ekspertizës ndërkombëtare shumica e familjeve të cilat u kthyen me një projekt biznesi, për të qëndruar në vendlindje, në masën afër 70 përqind, kishin si protagoniste, gratë.
Janë mjaft shifra të cilat nuk përbëjnë një kompliment formal. Organizimi i këtij aktiviteti është pjesë e një procesi për të krijuar një rrjet bashkëpunimi të grave protagoniste brenda dhe jashtë vendit.
Organizmin e Samitit të Grave të Biznesit e konsideroj një fillim. Ai është modest për qëllimin që i ka vënë vetes. Ai vlen të shikohet si një komunikim për kontributin dhe profesionalizmin brenda dhe jashtë vendit të cilin gratë shqiptare e kanë realizuar me përkushtim. Janë të gjitha rrethanat që sasia të kthehet në cilësi. I keni mundësitë dhe jeni në gjendje të ndërtoni një shoqëri shqiptare më të mirë.
Ju faleminderit
Postuar më: 16/01/2020