Ministri i Shtetit për Diasporën, së bashku me Ministrinë e Brendshme, Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe Shoqatën për Autonominë Vendore kanë firmosur një memorandum bashkëpunimi për bashkërendimin e punës me qëllim ngritjen e strukturës administrative pranë bashkive, për diasporën dhe migracionin sipas parashikimeve të nenit 29/1 të ligjit Nr. 38/2019 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin Nr. 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore”.

Krijimi i strukturave administrative synon mbajtjen e komunikimit të vazhdueshëm dhe forcimin e marrëdhënieve me anëtarët e Diasporës shqiptare, të cilët kanë vendlindjen ose origjinën nga territori që ato mbulojnë.

Organizimi i strukturës administrative për diasporën dhe migracionin në njësitë e qeverisjes vendore do të kryhet sipas vlerësimit të numrit të banorëve të tyre, në nivel drejtorie, sektori dhe zyre.

Ministri i Shtetit për Diasporën nëpërmjet Agjencisë Kombëtare të Diasporës siguron pjesëmarrjen e përfaqësuesve të strukturave administrative për diasporën dhe migracionin të bashkive në forumet apo strukturat konsultuese referuar çështjeve të diasporës; koordinimin e partneritetit ndërmjet institucioneve të qeverisjes vendore dhe organizatave/komuniteteve të diasporës në funksion të zhvillimit ekonomik të qëndrueshëm vendor, edukimin e të rinjve dhe promovimin e vlerat historike dhe kulturore lokale; informimin e përfaqësuesit të strukturave në bashki mbi asistencën e donatorëve, thirrjet për projekt – propozime; dhënien e informacionit për legjislacionin shqiptar në fushën e investimeve; koordinimin për trajnimin e personelit të strukturës administrative në çdo bashki; dhe asistimin në përcaktimin e aktiviteteve vjetore nga bashkitë e vendit.

MEMORANDUM BASHKËPUNIMI PËR BASHKËRENDIMIN E PUNËS PËR NGRITJEN E STRUKTURËS ADMINISTRATIVE PËR DIASPORËN DHE MIGRACIONIN NË QEVERISJEN VENDORE NDËRMJET MINISTRISË SË BRENDSHME, MINISTRISË PËR EVROPËN DHE PUNËT E JASHTME, MINISTRIT TË SHTETIT PËR DIASPORËN, DHE SHOQATËS PËR AUTONOMINË VENDORE