Sipas të dhënave nga Eurostat, transfertat ose dërgesat personale drejt Shqipërisë në vitin 2021 arritën në 1.14 miliardë euro, në rritje me 10% krahasuar me një vit më parë.

Italia vazhdon të kryesojë renditjen e dërgesave hyrëse, transfertat personale nga Italia kishin vlerën e 279 milionë eurove, ose rreth 24.5% e totalit. Dërgesat nga Italia u rritën me 7.2% krahasuar me vitin 2020. Pesha e Greqisë ka rënë në dekadën e fundit, duke u renditur në vendin e katërt. Britania e Madhe dhe Gjermania janë vendet që dërgojnë sasia më të madhe të parave të emigrantëve drejt Shqipërisë.

Britania e Madhe renditet në vendin e dytë nga vlera e transfertave drejt Shqipërisë, për vitin 2021, vlera e këtyre dërgesave arriti në 206.5 milionë euro ose 18.1% e flukseve të transfertave personale hyrëse. Rritja e dërgesave nga Britania e Madhe ishte më e ngadaltë, me 1%, krahasuar me vitin 2020.

Në vendin e tretë dhe me rritje të ndjeshme paraqitet Gjermania. Në vitin 2021, vlera e transfertave nga Gjermania arriti në 172.8 milionë eurove ose sa 15.2% e totalit. Transfertat nga Gjermania kanë shënuar një rritje të lartë, me 20.4% më shumë krahasuar me vitin 2020, ndërsa krahasuar me vitin 2017 ato janë rritur me 71%, teksa ky vend vitet e fundit është bërë një nga destinacionet më të preferuara të emigrantëve.

Në vitin 2021 vler e transfertave nga Greqia është 172.3 milionë euro, ose rreth 15.1% e totalit të vitit 2021. Megjithëse pesha e Greqisë në strukturën e emigracionit të ri shqiptar vlerësohet të jetë më e ulët, sidomos në periudhën e postkrizës ekonomike greke, edhe transfertat nga Greqia kanë shënuar rritje, me 2% më shumë krahasuar me vitin 2020.

Një peshë të rëndësishme në totalin e transfertave drejt Shqipërisë ka edhe Amerika e Veriut, kryesisht SHBA (Eurostat i paraqit shifrat në nivel të kontinentit, pa ndarje midis SHBA dhe Kanadasë). Dërgesat nga Amerika e Veriut në vitin 2021 arritën vlerën e 128.1 milionë eurove ose sa 11.2% e totalit. Transfertat nga Amerika janë rritur me 27% krahasuar me vitin 2020, duke shfaqur shkallën më të lartë të rritjes mes pesë vendeve kryesore partnere.