Vetëm 4 vjet veproi si protagonist në jetën politike Abdyli, por hyri dhe mbeti në histori si një nga burrat më të mëdhenj të Shqipërisë. Ai u bë dhe është një apostull i shqiptarizmit. Ai la shumë pas që të mos harrohet kurrë, aq më tepër në 100-vjetorin e formimit të shtetit shqiptar. Rruga e formimit moral, kulturor dhe politik e Abdylit filloi në Frashër dhe vazhdoi në Janinë si dhe më tej në Stamboll. Në 1877, Abdyl Frashëri hyri si protagonist politik në skenën e historisë së Shqipërisë. Në këtë situatë tepër të vështirë, Abdyli hartoi platformën e re politike dhe ideologjike me synimin mbrojtjen e interesave kombëtare të Shqipërisë, e cila i kundërvihej platformës që përpunuan qarqet sulltaniste të Stambollit, që synonte mbrojtjen e kufijve të Turqisë në Europë. Synimi politik i platformës së Abdyl Frashërit ishte: trojet shqiptare të shpërndara në atë kohë në vilajetet e Kosovës, Shkodrës, Manastirit dhe Janinës të bashkoheshin në një vilajet të vetëm me emrin “Vilajeti i Shqipërisë” dhe, me krijimin e kushteve të favorshme për shqiptarët, synimi i mëtejshëm i kësaj platforme do të ishte: krijimi i Shtetit Autonom ose i Shtetit të Pavarur të Shqipërisë. Abdyli, më 1877, zgjidhet edhe deputeti i Vilajetit të Janinës në Parlamentin e Dytë Osman, ku morri pjesë nga 14 deri më 30 janar 1878. Më 18 dhjetor 1877, Abdyli, së bashku me bijtë e mëdhenj të truallit shqiptar formuan Komitetin Kombëtar të Stambollit. Këta personalitete të kulturës, politikës e veprimit atdhetar, pranuan platformën e re politike dhe ideologjike të Abdyl Frashërit dhe e zgjodhën atë kryetar të këtij Komiteti. Copëtimi i trojeve shqiptare më 3 mars 1878 e detyruan Komitetin Shqiptar të Stambollit dhe Abdyl Frashërin të heqin përkohësisht dorë nga ideja e kryengritjes çlirimtare anti-osmane dhe të përpunojnë një program të ri politik, që çoi në themelimin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Tri ditë para se të mblidhej Kongresi i Berlinit, për të siguruar lirinë dhe unitetin territorial të atdheut nga atdhetarë të gjithë viseve të vendit, në Prizren, në kryeqendrën e Vilajetit të Kosovës, u themelua më 10 qershor 1878 Lidhja Shqiptare e Prizrenit, me kryetar Iljaz Pashë Dibrën dhe Abdyl Frashërin përgjegjës për punët e jashtme të Lidhjes.
Abdyl Frashëri nuk është vetëm një nga udhëheqësit kryesorë politik e ideologjik, por edhe një organizator e aktivist i shquar, diplomat i talentuar e politikan i madh i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Nisur nga detyra që mori në Kuvendin e Prizrenit, Abdyli, në krye të delegacionit shqiptar, u nis menjëherë në Berlin, për t’i parashtruar Kongresit të Fuqive të Mëdha, që u hap më 13 qershor 1878, peticionin me anën e të cilit kërkohej respektimi i të drejtave kombëtare të shqiptarëve dhe, në radhë të parë, paprekshmëria e trojeve të Shqipërisë. Më 1 nëntor 1878 ai përfaqësoi Toskërinë në Kuvendin e Parë të Dibrës, ku u miratua rezoluta me të cilën kërkohej zyrtarisht nga Porta e Lartë krijimi i Vilajetit të Bashkuar Autonom të Shqipërisë.
Në janar të 1879-ës ishte organizatori kryesor i Kuvendit të Prevezës, i cili arriti të pengonte lëshimin e Çamërisë në favor të Greqisë. Abdyli së bashku me Mehmet Ali Vrionin, në pranverë të 1879-ës, kryen në emër të Lidhjes së Prizrenit një mision diplomatik me rëndësi në kryeqytetet e Europës, ku kundërshtuan vendimet e Kongresit të Berlinit dhe mbrojtën interesat e Shqipërisë.
Abdyli ishte promotori edhe i dy kuvendeve ndërkrahinore të Frashërit, i pari u mbajt në maj 1878 dhe, i dyti, u zhvillua në qershor 1880. Të dy u zhvilluan në Teqen bektashiane të Frashërit. U drejtuan nga Abdyl Frashëri. Përgatitjet për Kuvendin e Parë të Frashërit u bënë në Janinë. Pas Kuvendit të 1880, Abdyli, në Prizren së bashku me rilindësit e mëdhenj të Lidhjes, shpallën formimin e Qeverisë së Përkohshme Shqiptare, në krye të së cilës u vu luftëtari i shquar Haxhi Ymer Prizreni. Në prill 1881 Abdyli u arrestua në trevën e Elbasanit. Vitet e rënda në bodrumet e burgut të Prizrenit dhe të internimit në Balikesër e Bandërma si dhe të izolimit në Stamboll ia rënuan shëndetin, por ato nuk e thyen vullnetin, guximin dhe vendosmërinë e Abdylit. Abdyli vdiq në Stamboll më 23 tetor 1892, por ngeli një monument i madh i patriotizmit.