Sot, në Ditën Ndërkombëtare të Remitancave, Agjencia Kombëtare e Diasporës, me mbështetjen e Ministrit të Shtetit për Diasporën dhe Bankës së Shqipërisë zhvilloi aktivitetin “Dita Ndërkombëtare e Remitancave”, duke vlerësuar kështu këtë kontribut të remitancave në dobi të familjeve të vendit si dhe formalizimin e kanaleve të dërgimit të tyre në atdhe, objektiva kryesore këto dhe të Strategjisë Kombëtare të Diasporës.
Diskutimi u zhvillua në dy panele: “Remitancat, ndikimi i tyre në zhvillimin ekonomik dhe shoqëror të vendit” dhe “Identifikimi dhe promovimi i politikave, programeve dhe praktikave më të mira të institucioneve financiare në lidhje me forcimin e kontributit të emigrantëve”.
Takimi u hap nga fjala e Ministrit të Shtetit për Diasporën z.Pandeli Majko, i cili në fjalën e tij tha se deri tani remitanca është konsideruar vetëm një e ardhur dhe kaq, duke theksuar nevojën e një modeli të dobishëm, një alfabeti të ri ekonomik, pasi remitancat tejkalojnë dhe investimet e huaja në vend.
“Mendoj që takimi i sotëm është i një rëndësie të veçantë. Arsyetimi mbështetet tek Strategjia Kombëtare e Diasporës, është në një moment të rëndësishëm të aplikimit të vet. Është ndër sektorët e rrallë të Republikës së Shqipërisë që brenda 4 viteve është strategjia e dytë që aplikohet për diasporën dhe marrëdhëniet e shtetit shqiptar me Diasporën. Ajo që dëshiroj të nënvizoj është tema e remitancave që deri tani është konsideruar si një e ardhur dhe vetëm kaq. Modelet e dobishme që po shohim në shumë vende të botës tregojnë se bëhet fjalë për një alfabet të ri ekonomik kur flitet për remitancat. Aktualisht për Republikën e Shqipërisë përfaqësojnë të ardhurën më të madhe që shteti shqiptar merr. Ato tejkalojnë dhe investimet e huaja apo investime të natyrave të tjera të brendshme. Bëhet fjalë për një të ardhur që shkon në kufijtë e 1 miliardë dollarëve”, – tha ministri Majko.
Ai përmendi dhe Bankën e Diasporës si një pikë e marrëveshjeve të firmosura mes Shqipërisë dhe Kosovës.
Në fjalën e saj, zv. ministrja e Ekonomisë dhe Financave, znj.Vasilika Vjero tha se remitancat përbëjnë 12% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Ajo tha se për shkak të pandemisë ka rënie të remitancave, por në këtë tre mujor të parë të këtij viti ka një rikuperim dhe remitancat përbëjnë 68% të të ardhurave dytësore. Duke folur për nismat e ndërmarra si “Connect Albania” dhe ajo më e fundit “Gati për Shqipërinë” Vjero tha se synimi është të kthehen në Shqipëri në aktivitete ekonomike, të ndihmojnë sipërmarrjen.
Ndërsa znj. Luljeta Minxhozi, zv. guvernatore e Bankës së Shqipërisë foli mbi rëndësinë që ky sektor ka marrë tashmë nga Banka me botimin e buletinëve informativ për të si dhe objektivat në të ardhmen për fuqizimin e rolit të remitancave në vend.
Përfaqësuesja e Bankës Botërore në Shqipëri, Znj. Edlira Dashi tha se sipas të dhënave të BB të publikuara në maj 2021 remitancat në Shqipëri kanë rënë me rreth 1.5 %. “Në përputhje me trendet globale dhe shumë herë më e vogël se ulja e vlerësuar pë Europën. Remitancat ishin një shërbim thelbësor që nga fillim i pandemisë”, – tha ajo.
Për Bankën Botërore rasti i Shqipërisë në pandemi është unik në një kohë ku shumë shtete u përballën me rënie drastike të fluksit të remitancave. “Në rastin e Shqipërisë u ballafaquam me rritjen e dukshme të kanaleve zyrtare siç ishte rëndom transferimi i parave përmes autobusëve, miqve dhe të afërmve”, – vijoi ajo.
Për përfaqësuesen e Bankës Botërore në Shqipëri fokus duhet të jetë kostoja dhe transparenca e këtyre dërgesave që është më e lartë se objektivi i vendosur nga OKB. Dy nga korridoret më të shtrenjta të lidhura me Shqipërinë janë Mbretëria e Bashkuar dhe Zvicra, ndërsa pati rënie të theksuar të remitancave nga Gjermania dhe Itali.
Drejtoresha e INSTAT, znj. Elsa Dhuli bëri të ditur se më 1 janar 2020 afro 1.87 mln shtetas shqiptarë jashtë kufirit të vendit tonë. Përsa i përket shkaqeve të emigrimit, znj. Dhuli tha se nëse më herët ishte shkak varfëria tani ka të bëjë me punësimin, arsimimin. “Një tjetër faktor është dhe rritja ekonomike e disa vendeve të BE ku normat e ulëta të papunësisë kërkojnë forca pune dhe kjo është arsyeja tipike pse kërkojnë të emigrojnë drejt vendeve evropiane”, – tha ajo.
Drejtoresha e INSTAT tha më tej se avantazh janë paratë e dërguara nga emigrantët e origjinës. “Shumë emigrantë kryejnë dërgesa nga jashtë duke pasur ndikim tek të ardhurat e familjes që lënë pas. Ato janë konsideruar faktor kryesor i rritjes së shpenzimit të konsumit në familjet shqiptare në Shqipëri. Zakonisht vihet re se remitancat ndikojnë ndjeshëm në uljen e varfërisë”, – tha ajo. Znj. Dhuli kërkoi që të studiohet impakti që kanë remitancat në indikatorë social dhe ekonomik në nivel më të detajuar që të kuptohet dhe vlerësohet sa më drejtë impakti që remitancat kanë në zhvillimin social ekonomik të vendit.
Ndërsa znj. Brunilda Isaj nga Shoqata e Mikrofinancave Shqiptare bëri të ditur se 57% e dërgesave të emigrantëve bëhen përmes institucioneve të mikrofinancës dhe jo sektorit bankar.
Sipas saj kjo ndodh për shkak të kostove të përfshira, proceseve dhe procedurave operacionale, kohës së procesimit të dërgesave. Znj. Isaj vërejti se ka një hezitim për të kryer dërgesa të vogla përmes llogarive bankare. “Për të rritur nivelin e gjithëpërfshirjes financiare do ishte me vlerë që dhe sektori bankar të ketë bashkëpunim të ngushtë me agjencitë e transferimit të parave duke i përdorur si kanale referues për klientë të rinj”, – tha ajo.
Panelin e parë të diskutimit e mbylli drejtoresha e Agjencisë Kombëtare për Diasporën, znj. Sonila Hysi.
“Remitancat janë kthyer në një mekanizëm të rëndësishëm për kanalizimin e fondeve dhe burimeve nga vendet e zhvilluara drejt vendeve në nevojë. Gjithashtu, remitancat, sikurse investimet e huaja direkte (FDI), konsiderohen si flukse kapitali të sigurta, të cilat ndihmojnë vendet në zhvillim për të arritur norma rritjeje të larta e të qëndrueshme. Sipas Raportit të fundit të Migracionit dhe Zhvillimit nga Banka Botërore, pavarësisht krizës së pandemisë, flukset e remitancave në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme arritën në 540 miliardë dollarë në vitin 2020, vetëm 1.6% nën totalin prej 548 miliardë dollarësh të vitit 2019”, – tha znj. Hysi.
Ajo shtoi se në kuadër të misionit të AKD-së, synohet nxitja e mëtejshme e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet vendit të origjinës dhe diasporës, nëpërmjet mirë-menaxhimit të remitancave në dobi të familjeve e të vendit si edhe formalizimit të kanaleve të dërgimit të tyre në atdhe, si disa prej objektivave kryesore të Strategjisë Kombëtare të Diasporës.
“Diskutimet e përbashkëta mes aktorëve kryesorë, pjesë të këtij takimi janë hapi kryesor për krijimin dhe zbatimin e politikave gjithnjë e më të mira dhe efektive në funksion të diasporës dhe migracionit”, – tha znj. Hysi.
Në pjesën e dytë të takimit, Dr. Ilir Gëdeshi i Qendrës së Studimeve Ekonomike dhe Sociale, vuri theksin në masat që duhen marrë për të nxitur rritjen e remitancave nga Diaspora: “Ndryshimi i modelit pas krizës ekonomike globale, me ndryshimin gjeografik të emigracionit të ardhurat janë më të larta dhe remitancat duhet të jenë më të larta. Studimet që kemi bërë në vitin 2010 në disa vende, tregojnë se emigracioni shqiptar ka më shumë kursime dhe më pak remitanca dhe raporti është 1 me 5 mes kursimeve dhe remitancave. Nëse vetëm 20 për qind e kursimeve do të përdorej për remitanca do të sillnin më shumë zhvillime. Për të nxitur remitancat duhen marrë dy masa mendoj: 1. Duhet të rrisim besimin e Diasporës; 2. Duhen politika të reja që të nxisim remitancat e Diasporës për zhvillimin e vendit.”
Në fjalën e tij anëtari i Këshillit Koordinues të Diasporës, z. Lazim Destani, u shpreh se kontributi i Diasporës shqiptare ka qenë gjithmonë i jashtëzakonshëm: “Të nderuar panelistë dhe ju që merrni pjesë dhe e përcillni këtë konferencë, ndihem i nderuar të jem i pranishëm në një ngjarje si kjo që lidhet me Diasporën pasi dhe vetë jam pjesë e saj. Është një rast i mirë që sot në ditën ndërkombëtare të remitancave të reflektojmë. Roli dhe kontributi i Diasporës shqiptare gjithmonë ka qenë i jashtëzakonshëm në zhvillimet e përgjithshme të vendeve tona, ndërsa kur është fjala për zhvillimin e vendeve të tona remitancat luajnë një rol shumë të rëndësishëm. Më parë remitancat kanë qenë në nivel të ulët dhe janë përdorur më shumë për ekonominë familjare, ndërsa sot janë në një nivel më të lartë që ndikojnë në ekonominë e vendit. Në takime të ndryshme me afaristët e Diasporës kemi diskutuar idenë e krijimit të një fondi për investime kapitale në vendin tonë. Gjithashtu një formë tjetër mund të jenë mekanizmat e garancisë që jep qeveria. Qeveria mund të krijojë partneritet me bankat evropiane dhe ekspertë të fushës do të menaxhonin këto fonde. Në gjirin e diasporës tonë ka shumë profesionistë të aftë që e kanë dëshmuar veten në fusha të ndryshme. Një mundësi shumë e mirë do të ishte dhe krijimi i kushteve nga institucionet e shtetit për bashkëpunime me institucione të rëndësishme në botë. Tashmë kemi dhe Dhomën e Biznesit të Diasporës në Tiranë që është një urë lidhëse për bashkëpunime dhe organizime”, – përfundoi z. Destani.
Punët konkrete janë thelbi i nxitjes së Diasporës për kontributin në rritjen e remitancave, u shpreh znj. Anila Hyka, anëtare e Këshillit Koordinues të Diasporës “Prej vitesh flasim dhe dëgjojmë kontributin patriotik dhe financiar të Diasporës dhe kjo tregohet me fakte dhe shifra. Pritshmëria që pata është që përveç shifrave dhe përgëzimeve do doja të shikoja disa elemente më konkrete. Pjesa më e madhe e remitancave vijnë më shumë në cash dhe jo përmes bankave, kjo ndodh edhe për shkak të kostove të larta të transfertave, kjo ndodh edhe për shkak të mosmarrëveshjeve të bankave të Shqipërisë me bankat evropiane dhe botërore. Lidhur me depozitat sot për sot sa mund të garantojë banka që Diaspora të vendosë kursimet në këto depozita. A ka Diaspora llogari banke në Shqipëri? Sigurisht që ka po përgjithësisht bëhen nëpërmjet familjarëve dhe me një adresë të deklaruar në Shqipëri. Diaspora është e gatshme të jap kontributin e vet dhe ka dhënë prova, por i takon institucioneve të jenë më të hapura dhe me kontratë dhe nga takime të tilla të ketë më shumë shembuj konkret.”
“Rritja e besimit të Diasporës është shumë e rëndësishme për rritjen e remitancave”, ishte ky fokusi i fjalimit të z. Ardian Lekaj, Kryetar i Dhomës së Biznesit të Diasporës: “Ju falenderoj për këtë organizim shumë interesant në Ditën e Remitancave, është kënaqësi të marrësh pjesë në një event të tillë dhe të shkëmbesh mendime me kolegët. Në këtë takim u bë një përmbledhje e statistikave dhe një nga pyetjet që Ilir Gëdeshi nxori në pah ishte: Si do të rritet besimi i Diasporës? Rritja e besimit të Diasporës është shumë e rëndësishme për rritjen e remitancave. Besimi rritet kur ti je në trojet shqiptare dhe ndihesh si në shtëpinë tënde, nëse ndihesh në shtëpinë tënde, sigurisht që do të bësh diçka ekstra në shtëpinë tënde. Si mund të na e jepni? Loboni për ne, të na jepet e drejta e votës, si ju votoni atje, edhe ne duhet të votojmë. Në vitin 2020 pati një rënie të theksuar të remitancave në botë, por kjo nuk ndodhi në Shqipëri. Pse nuk ndodhi kjo? Ose jemi shumë të varfër, ose çështja emocionale, por e sigurt është që lidhja sociale që ne si komb kemi me njëri-tjetrin është e pakrahasueshme me vendet e tjera. Unë jetoj prej 30 vitesh në Holandë, por mendjen, sytë, veshët i kam tek ju. Disa nga ju komentuan politika të reja financiare dhe sigurisht ju jeni ekspertë dhe do të punoni që ti realizoni këto pika, por ajo që unë do këshilloja është përdorimi i remitancave si kolateral për periudhë krizash. Gjithashtu krijimi i një sistemi regjistrimi të strukturuar për të luftuar informalitetin. Dhoma e Biznesit të Diasporë është e krijuar pikërisht për të qenë një urë bashkëpunimi dhe ju ftoj të anëtarësoheni.”
Në fjalën e saj përmbyllëse znj. Elizabeta Katiaj, Kryetare e Unionit të Sipërmarrësve të rinj u shpreh e gatshme për krijimin e një grupi pune, i cili në takimin e radhës do të sjell propozime konkrete: “E gjithë politika e strukturimit të remitancave lidhet ngushtë me faktin e politikave dhe kjo arrihet me lobimin e Diasporës. Jemi në një situatë ku Diaspora për herë të parë ka institucione të konsoliduara për të gjithë shqipfolësit. Mbetet një detyrë e rëndësishme për të dhënë disa propozime konkrete. Unë mendoj të krijojmë një grup nga i cili mund të lindin shumë ide për investime strategjike të remitancave. Kjo konferencë nuk duhet të mbetet me këtë takim, por të konkludohet me një listë propozimesh që duhet ti shkojë qeverisë për rritjen e remitancave dhe për të përmirësuar kostot e tranfertave kudo në botë në lidhje me Shqipërinë.”