Agjencia Kombëtare e Diasporës mori pjesë në aktivitetin “Roli i Bizneseve të Diasporës në Transformimin Digjital të Ekonomisë Shqiptare dhe Integrimin Europian”, organizuar nga Dhoma e Biznesit të Diasporës Shqiptare në bashkëpunim me Innovation 4 Albania, në kuadër të Java e Europës.

Aktiviteti bëri bashkë përfaqësues të institucioneve shtetërore, biznesit, ekspertë të ekonomisë, sipërmarrës dhe përfaqësues ekselentë të diasporës shqiptare për të diskutuar mbi rolin e diasporës në zhvillimin ekonomik të Shqipërisë, transformimin digjital dhe procesin e integrimit europian.

Aktiviteti, u përshëndet nga Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, znj Delina Ibrahimaj e cila në fjalën e saj theksoi rëndësinë e teknologjisë, inovacionit dhe digjitalizimit për rritjen e konkurrueshmërisë së Shqipërisë në tregun evropian dhe global, si edhe potencialin e bizneseve të diasporës në sjelljen e investimeve, eksperiencës dhe standardeve europiane.

Në emër të Agjencisë Kombëtare të Diasporës, përshëndeti znj Emonela Xhafa, Drejtore Ekzekutive, duke ndarë me të pranishmit disa nga rekomandimet e Samitit të IV të Diasporës , ku u theksua se remitancat duhet të kthehen në investime konkrete për zhvillimin ekonomik të vendit. Ajo vuri theksin tek forcimi i lidhjeve ekonomike dhe institucionale me diasporën, nxitja e investimeve dhe mbështetja e sipërmarrjes inovative, si elementë kyç për modernizimin e ekonomisë shqiptare dhe afrimin me standardet europiane.

Gjithashtu të pranishmit u njohën me hapat e ndjekura për hartimin e Strategjisë së re Kombëtare të Diasporës dhe Planit të Veprimit 2026–2030, duke synuar fuqizimin e rolit të diasporës si partner strategjik në zhvillimin ekonomik, social dhe inovativ të Shqipërisë, duke krijuar politika dhe mekanizma konkrete për angazhimin e profesionistëve, bizneseve dhe investitorëve shqiptarë jashtë vendit në procesin e integrimit europian dhe modernizimit të ekonomisë shqiptare.

Gjatë diskutimeve u evidentua rëndësia e krijimit të politikave që nxisin kalimin nga remitancat drejt investimeve, mbështetjen e start up-eve dhe zhvillimin e sektorëve me potencial si fintech, turizmi, prodhimi, shërbimet dhe bujqësia. Gjithashtu, u theksua roli i diasporës shqiptare në forcimin e partneriteteve strategjike dhe modernizimin e ekonomisë shqiptare në përputhje me standardet e Bashkimit Europian.