Në kuadër të forcimit të bashkëpunimit institucional në mbështetje të rinisë shqiptare dhe diasporës, Drejtoresha Ekzekutive e Agjencisë Kombëtare të Diasporës, znj. Ermonela Xhafa, zhvilloi një takim me Kryetarin e Këshillit Kombëtar të Rinisë, z. Dashnor Veizaj, me fokus rritjen e bashkëpunimit institucional dhe fuqizimin e rolit të të rinjve në çështjet që lidhen me diasporën shqiptare. Gjatë takimit u diskutua mbi rëndësinë e afrimit të brezave të rinj me diasporën, ruajtjen e identitetit kombëtar dhe krijimin e urave të bashkëpunimit mes shqiptarëve brenda dhe jashtë vendit.

Në qendër të diskutimeve ishin edhe gjetjet dhe marrëveshjet e arritura gjatë Samitit IV të Diasporës, ku u nënshkrua marrëveshja e bashkëpunimit ndërmjet Agjencisë Kombëtare të Diasporës (AKD) dhe Agjencisë Kombëtare të Rinisë (AKR), me synim përfshirjen aktive të të rinjve të diasporës në politikat dhe aktivitetet kombëtare.

U theksua se rinia dhe diaspora nuk duhet të shihen si realitete të ndara nga Shqipëria, por si pjesë integrale e zhvillimit të saj. Drejtoresha Ekzekutive e Agjencisë Kombëtare të Diasporës, znj. Xhafa, vuri në dukje rëndësinë e mbështetjes institucionale për aktivitetet e rinisë në diasporë dhe forcimin e lidhjes institucion – diasporë – atdhe.

Ndërkohë, Kryetari i Këshillit Kombëtar të Rinisë, z. Dashnor Veizaj, nënvizoi faktin se, për herë të parë, diaspora ka përfaqësim në Këshillin Kombëtar të Rinisë. Ai theksoi edhe një herë se, në dritën e rekomandimeve dhe detyrave të lëna nga Samiti IV i Diasporës, bashkëpunimi ndërmjet AKD, AKR dhe KKR mund të zhvillojë aktivitete të përbashkëta, programe konkrete për të rinjtë shqiptarë në diasporë, përmes mbështetjes së talenteve, financimeve për aktivitete dhe përfaqësimit në nivele ndërkombëtare.

Promovimi i të rinjve në diasporë dhe hartimi i programeve konkrete në mbështetje të tyre do të jenë në fokusin kryesor të këtij bashkëpunimi institucional. Bashkëpunimi ndërmjet dy agjencive dhe Këshillit Kombëtar të Rinisë vlerësohet si një hap i rëndësishëm drejt avancimit të iniciativave dhe projekteve konkrete për të rinjtë shqiptarë, kudo që jetojnë dhe veprojnë.