Mbështetja e mësuesve dhe fuqizimi i shkollave shqipe në Itali, prioritet për vitin 2027
Ruajtja dhe përcjellja e gjuhës shqipe te brezat e rinj në diasporë mbetet një ndër prioritetet e angazhimit institucional të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe Agjencisë Kombëtare të Diasporës.
Në këtë kuadër, Drejtoresha Ekzekutive e Agjencisë Kombëtare të Diasporës, znj. Ermonela Xhafa, së bashku me Drejtoreshën e Drejtorisë së Diplomacisë Ekonomike, Kulturës dhe Diasporës pranë Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, znj. Silvana Leskaj, zhvilluan një takim me znj. Anila Berberi, Kryetare e Lidhjes së Shkollave Shqipe në Itali. Znj. Berberi ka një kontribut të spikatur në komunitetin shqiptar në Itali, përmes angazhimit të saj të vazhdueshëm, jo vetëm në mësimin dhe përhapjen e gjuhës shqipe, por edhe në promovimin e kulturës, traditave dhe identitetit kombëtar shqiptar, si dhe në forcimin e lidhjeve të komunitetit shqiptar në Itali me vendin e origjinës.
Bashkëbisedimi u përqendrua te ecuria e mësimit të gjuhës shqipe në Itali, nevojat konkrete të shkollave shqipe dhe sfidat me të cilat përballen mësuesit në veprimtarinë e tyre të përditshme.
Gjithashtu, u diskutuan mundësitë për thellimin e bashkëpunimit institucional me strukturat arsimore të diasporës, me synim zgjerimin dhe fuqizimin e mësimdhënies në gjuhën shqipe.
Një vëmendje e veçantë iu kushtua mbështetjes financiare të mësuesve të gjuhës shqipe në Itali, e përcaktuar si një nga prioritetet e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme për vitin 2027. Siç u theksua edhe nga Ministri z. Ferit Hoxha gjatë Samitit të 4-t të Diasporës, por edhe në seancën e paraqitjes së Buxhetit të MEPJ për vitin 2027, ka rëndësi të veçantë zgjerimi i nismës për mbështetjen edhe të mësuesve të gjuhës shqipe në Itali, duke u bazuar në praktikën e suksesshme të ndjekur tashmë për mësuesit e diasporës në Greqi.
Kjo qasje synon krijimin e një mekanizmi mbështetës dhe shpërblimi financiar për mësuesit shqiptarë të certifikuar, të angazhuar në shkollat dhe klasat shqipe në Itali, si pjesë e nismës “Mësues për Italinë”.
Gjatë takimit u nënvizua roli thelbësor i mësuesve dhe shkollave shqipe në ruajtjen dhe përcjelljen e gjuhës amtare, vlerave, traditave dhe trashëgimisë kulturore shqiptare te brezat e rinj.
Mbështetja ndaj mësuesve përbën një investim të drejtpërdrejtë në forcimin e lidhjeve të fëmijëve dhe të rinjve me gjuhën, kulturën dhe identitetin e tyre kombëtar.
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe Agjencia Kombëtare e Diasporës do të vijojnë angazhimin për forcimin e bashkëpunimit me mësuesit, organizatat dhe strukturat e diasporës shqiptare, duke mbështetur projektet e përbashkëta, nismat konkrete që garantojnë vijimësinë e mësimit të gjuhës shqipe dhe përcjelljen e identitetit kombëtar te brezat e ardhshëm.
Altin Selimi2026-11-24T09:31:07+01:00