Në kuadër të vizitës së punës në Athinë, Drejtoresha Ekzekutive e Agjencisë Kombëtare të Diasporës, znj. Ermonela Xhafa, zhvilloi një takim me përfaqësues të biznesit shqiptar në Greqi, përfaqësues të shoqatave shqiptare, si dhe me anëtarët e Këshillit Koordinues të Diasporës që përfaqësojnë diasporën shqiptare në Greqi.
Takimi me përfaqësuesit e Lidhjes së Mësuesve të Gjuhës Shqipe në Greqi u zhvillua në ambientet e Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Athinë, që është kthyer në një derë të hapur për komunitetin shqiptar në Greqi dhe një hapësirë bashkëpunimi e komunikimi me diasporën shqiptare.
Ky takim u përqendrua në mbështetjen institucionale për shkollat shqipe në diasporë, të cilat mbeten një nga prioritetet kryesore të Ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, z. Ferit Hoxha, si dhe Agjencisë Kombëtare të Diasporës. Kjo mbështetje u theksua edhe gjatë Samitit të IV të Diasporës, ku u rikonfirmua angazhimi për forcimin e mësimit të gjuhës shqipe dhe ruajtjen e identitetit kombëtar tek brezat e rinj.
Gjatë takimit u diskutua mbi nevojat konkrete të shkollave dhe mësuesve shqiptarë në Greqi, si dhe format e mbështetjes që Agjencia Kombëtare e Diasporës do të vijojë të ofrojë përmes pajisjes së bibliotekave të shkollave shqipe me libra në gjuhën shqipe, materiale didaktike dhe pajisje teknologjike që lehtësojnë procesin e mësimdhënies.
U theksua gjithashtu rëndësia e bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet Agjencisë Kombëtare të Diasporës, Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Athinë dhe përfaqësuesve të mësuesve, për të garantuar një mbështetje të qëndrueshme për rrjetin e shkollave shqipe në Greqi.
Gjatë takimit me përfaqësues të biznesit shqiptar dhe shoqatave shqiptare në Greqi, u diskutua mbi mundësitë për forcimin e bashkëpunimit dhe zhvillimin e aktiviteteve dhe projekteve të përbashkëta, me synim përfshirjen dhe kontributin më të madh të sipërmarrjes shqiptare në Greqi në nisma me interes të përbashkët, si dhe krijimin e urave të reja të bashkëpunimit ekonomik, social dhe kulturor ndërmjet diasporës dhe Shqipërisë.
Agjencia Kombëtare e Diasporës do të vijojë të jetë një partner i afërt i diasporës, duke mbështetur shkollat shqipe, projektet dhe nismat që forcojnë lidhjet me Shqipërinë, si dhe bashkëpunimin e qëndrueshëm ndërmjet komuniteteve shqiptare dhe institucioneve shtetërore.







