Diaspora është kapital njerëzor. Është ekspertizë profesionale. Është investim. Është rrjet ndërkombëtar. Është kulturë, identitet, diplomaci ekonomike dhe fuqi zhvillimi.

Prej vitesh, ne e kemi besuar dhe e kemi punuar këtë në praktikë: përmes rrjetëzimit të biznesit, promovimit të produkteve shqiptare, kulturës, turizmit, artit, grave sipërmarrëse, profesionistëve dhe brezave të rinj të diasporës.

Sot, ky vizion merr një rëndësi edhe më të madhe.

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka hapur konsultimin publik për projektvendimin e Këshillit të Ministrave “𝐏ë𝐫 𝐦𝐢𝐫𝐚𝐭𝐢𝐦𝐢𝐧 𝐞 𝐒𝐭𝐫𝐚𝐭𝐞𝐠𝐣𝐢𝐬ë 𝐊𝐨𝐦𝐛ë𝐭𝐚𝐫𝐞 𝐩ë𝐫 𝐃𝐢𝐚𝐬𝐩𝐨𝐫ë𝐧 𝟐𝟎𝟐𝟔–𝟐𝟎𝟑𝟎 𝐝𝐡𝐞 𝐏𝐥𝐚𝐧𝐢𝐭 𝐭ë 𝐕𝐞𝐩𝐫𝐢𝐦𝐢𝐭 𝟐𝟎𝟐𝟔–𝟐𝟎𝟐𝟖”.

Kjo strategji synon të forcojë marrëdhënien mes shtetit shqiptar dhe diasporës, duke e zhvendosur fokusin nga remitancat drejt investimeve, kapitalit njerëzor, ekspertizës profesionale, inovacionit dhe partneriteteve konkrete.

Diaspora shqiptare, përfaqëson një potencial të jashtëzakonshëm ekonomik, intelektual, kulturor dhe profesional. Ajo është urë mes Shqipërisë dhe tregjeve globale, mes identitetit kombëtar dhe integrimit evropian, mes traditës dhe së ardhmes.

Siç u theksua edhe në fjalën e Ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, z. Ferit Hoxha, në Samitin e IV të Diasporës, shqiptarët jashtë atdheut nuk janë thjesht një komunitet i shpërndarë në botë, por një zemër e madhe shqiptare që rreh kudo. Diaspora është shtëpi, identitet, fuqi njerëzore, profesionale dhe kulturore; një urë e gjallë mes Shqipërisë dhe botës, me rol të rëndësishëm në zhvillimin, imazhin ndërkombëtar dhe rrugëtimin evropian të vendit.

Prandaj, ky konsultim publik është një moment i rëndësishëm për të gjithë ne.

Ftohen qytetarët, diaspora shqiptare, ekspertët, institucionet, organizatat jofitimprurëse, përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe çdo shqiptar që beson te roli i diasporës, të japin sugjerimet dhe kontributin e tyre.

Sepse diaspora nuk duhet vetëm të përmendet.
Diaspora duhet të dëgjohet.
Diaspora duhet të përfshihet.
Diaspora duhet të jetë pjesë aktive e vendimmarrjes dhe zhvillimit kombëtar.

Nga strategji, në partneritet zhvillimi, në plane konkrete.

Ne kemi qenë dhe do të vazhdojmë të jemi pjesë e këtij rrugëtimi për një diasporë të organizuar, të vlerësuar dhe të lidhur realisht me zhvillimin e Shqipërisë.

🔗 Projektakti dhe dokumentacioni përkatës janë të aksesueshme në:Kliko këtu

𝐃𝐢𝐚𝐬𝐩𝐨𝐫𝐚 𝐬𝐡𝐪𝐢𝐩𝐭𝐚𝐫𝐞 ë𝐬𝐡𝐭ë 𝐧𝐣ë 𝐟𝐨𝐫𝐜ë 𝐞 𝐦𝐚𝐝𝐡𝐞. 𝐓𝐚𝐧𝐢 ë𝐬𝐡𝐭ë 𝐤𝐨𝐡𝐚 𝐭𝐚 𝐤𝐭𝐡𝐞𝐣𝐦ë 𝐤ë𝐭ë 𝐟𝐨𝐫𝐜ë 𝐧ë 𝐯𝐢𝐳𝐢𝐨𝐧, 𝐛𝐚𝐬𝐡𝐤ë𝐩𝐮𝐧𝐢𝐦 𝐝𝐡𝐞 𝐳𝐡𝐯𝐢𝐥𝐥𝐢𝐦.