Sot përulemi me solemnitet përpara kujtimit të lindjes së Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, figurës emblematike që sfidoi kohën dhe historinë, që u shndërrua në simbol të pathyeshmërisë, dinjitetit dhe qëndresës, që bashkoi dhe bashkon shqiptarët nën një ideal të shenjtë, një figurë që nuk është thjesht pjesë e së shkuarës së lavdishme, por një kolos i madh që vazhdon të ndriçojë identitetin dhe krenarinë tonë kombëtare.
Agjencia Kombëtare e Diasporës e nisi këtë vit me një homazh të veçantë kushtuar figurës së Skënderbeut, duke përkujtuar me respekt edhe përvjetorin e ndarjes së tij nga jeta. Ky nderim u realizua në 17 janar, me rastin e përvjetorit të vdekjes së Skënderbeut, në bashkëpunim me Muzeun Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në Krujë dhe Bashkinë Krujë, në zemrën e historisë sonë, si një përulje ndaj madhështisë së tij që nuk njeh kohë.
Sot, në ditën e lindjes së Tij, në këtë atmosferë përkujtimi dhe krenarie kombëtare, ndajmë me ju dokumentarin “Donika Kastrioti – Një Princeshë Europiane”, me skenar nga Martin Çukalla dhe regji nga Ylli Pepo, Artist i Merituar, një vepër që sjell në dritë figurën fisnike të Donika Kastriotit, bashkëshortes së Skënderbeut, e cila shkëlqeu jo vetëm si princeshë e Arbërisë së kohës, por edhe si një personalitet me përmasa europiane.
Ky realizim i A.R. Production, u mbështet me kënaqësi nga Agjencia Kombëtare e Diasporës dhe vjen si një rrëfim dinjitoz që pasuron kujtesën tonë historike dhe lartëson rolin e saj në trashëgiminë tonë kombëtare.
I prezantuar dhe gjatë punimeve të Samitit të 4-t të Diasporës, ky dokumentar vlen si një rrëfim i gjallë, i thellë dhe emocional mbi jetën, veprën dhe trashëgiminë e familjes së Skënderbeut, një rrëfenjë historike, që nuk shuhet kurrë në kujtesën tonë kombëtare.
Ky promovim do të vazhdojë udhëtimin e tij përtej kufijve, duke u shfaqur gjatë këtij viti në disa shtete si Greqia, UK, Gjermania dhe në shumë vende të tjera, aty ku rreh zemra e shqiptarëve.