Sot zhvilluam një takim mbresëlënës me përfaqësues të spikatur të komunitetit arbëresh, të cilët shkëlqyen në Samitin e 4-t të Diasporës, duke dëshmuar edhe një herë se ata mbajnë gjallë frymën, gjuhën dhe traditat arbëreshe me një përkushtim të admirueshëm.

Prania e arbëreshëve Paola Napolitano dhe Daniele Marchese nga San Benedetto Ullano, Rosa Carbone dhe Irene Golemmo nga Lungro, si dhe diskutimet në shqip (nëndialektin arbëresh) i dhanë takimit një frymë të drejtpërdrejtë diskutimesh, duke sjellë shembuj konkretë të përpjekjeve për ruajtjen e gjuhës dhe traditave arbëreshe në komunitetet përkatëse.

Arbëreshët kudo ku ndodhen mbeten jo vetëm dëshmitarë të trashëgimisë së çmuar, por dhe partnerë aktivë dhe të pazëvendësueshëm për forcimin e lidhjeve kulturore dhe kombëtare. Ata kanë një lidhje të veçantë me Shqipërinë, të cilën e konsiderojnë një pikë të rëndësishme referimi për identitetin dhe kulturën e tyre, madje ata janë anëtarët e prejkohshëm shqiptarë në Bashkimin Evropian, një urë e gjallë mes Shqipërisë dhe Evropës, që prej rreth 600 vjetësh ruajnë me krenari gjuhën, kulturën dhe identitetin shqiptar.

Prania e tyre këto ditë maji lidhet edhe me mundësitë për të qenë pjesë në aktivitetet e organizuara në trojet shqiptare në kuadër të përkujtimit të datëlindjes së Gjergj Kastrioti Skënderbeu, simbolit të unitetit kombëtar, duke u bërë pjesë e aktiviteteve të kësaj dite me rëndësi kombëtare për të forcuar më tej lidhjet shpirtërore dhe kulturore mes arbëreshëve dhe trojeve shqiptare.

Drejtoresha Ekzekutive e Agjencisë Kombëtare të Diasporës znj. Xhafa siguroi miqtë arbëreshë për mbështetjen e AKD-së dhe se ky angazhim shkon përtej fjalëve, duke u kthyer në një mision të përbashkët për të forcuar dhe çuar përpara një trashëgimi të vyer gati 600 vjeçare.

Ajo shtoi se do të punojmë që në muajt në vijim të organizojmë aktivitete të përbashkëta dhe gjithëpërfshirëse, ku arbëreshët dhe shoqatat e tyre, kudo që ndodhen, do të kenë mundësi të takohen, të ndajnë përvojat dhe të festojnë së bashku këtë trashëgimi të çmuar.

Qëllimi është i thjeshtë: ta mbajmë gjallë këtë traditë, këtë lidhje gjaku të bukur dhe ta përcjellim me dashuri te brezat që vijnë.