Drejtoresha Ekzekutive e Agjencisë Kombëtare të Diasporës znj. Ermonela Xhafa, mori pjesë në eventin “Zemra mes këtej dhe andej”, një projekt i veçantë, promovimi i ekspozitës së realizuar përmes syrit dhe lentes së fotografes Jutta Benzenberg, në bashkëpunim me Center for Openness and Dialogue dhe GIZ Albania.

Në këtë event morën fjalën përfaqësues nga GIZ Albania, Delegacioni Europian dhe Agjencia Kombëtare e Diasporës, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe rolin e diasporës në zhvillimin e qëndrueshëm të vendit.

Të pranishëm ishin edhe vetë protagonistët e projektit – modele suksesi të diasporës shqiptare, të cilët ndanë përvojat dhe historitë e tyre personale, të pasqyruara në rreth 16 portrete të shoqëruara me rrëfime autentike. Këto histori krijojnë një urë të ndjeshme mes përkatësisë dhe përvojës së migrimit, duke ndërtuar një lidhje të fortë mes “këtej” dhe “andej” dhe duke reflektuar realitetin dhe emocionin e jetës mes dy botëve.

Fotot të shoqëruara me objekte simbolike me vlerë sentimentale për secilin personazh, sjellin më pranë publikun me historitë individuale, duke i dhënë projektit një dimension më njerëzor dhe prekës.

Në ndërhyrjen e saj, znj. Xhafa theksoi rëndësinë e forcimit të lidhjeve me diasporën dhe ndau mesazhet kryesore të dala nga Samiti i 4-të i Diasporës, duke vënë theksin tek historitë e suksesit dhe potenciali i jashtëzakonshëm që diaspora shqiptare përfaqëson për zhvillimin e vendit.

Eventi u vlerësua si një iniciativë me shumë vlerë, që duhet të vijojë dhe të mbështetet më tej, ndërsa materiale të tilla vizuale dhe historike mund dhe duhet të bëhen pjesë edhe e komunikimit në rrjetet sociale të institucioneve të diasporës.

Ekspozita ishte mjaft interesante dhe mund të ndiqet nga të gjithë të interesuarit në COD – Center for Openness and Dialogue.