Në kuadër të 558-vjetorit të ndarjes nga jeta të Heroit Kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeu, sot në Krujë u zhvillua Simpoziumi Përkujtimor, i organizuar në bahkëpunim ndërmjet Bashkisë Krujë dhe Agjencisë Kombëtare të Diasporës.

Simpoziumi vuri në qendër figurën e Skënderbeut si simbol i qëndresës shqiptare, shtyllë e identitetit kombëtar dhe arkitekt i lidhjeve të hershme të Shqipërisë me botën evropiane, duke nxitur reflektim mbi vlerat historike dhe aktuale të trashëgimisë së tij.

Aktiviteti u përshëndet nga Zj. Yllka Kukalaj, Nënkryetare e Bashkisë Krujë, dhe Zj. Ermonela Xhafa, Drejtore Ekzekutive e Agjencisë Kombëtare të Diasporës. Të pranishëm ishin gjithashtu përfaqësues të institucioneve qendrore, mes tyre Zj. Klodiana Spahiu, Nënkryetare e Kuvendit të Shqipërisë, dhe Znj. Milva Ekonomi, Deputete e Kuvendit të Shqipërisë, të cilat theksuan rëndësinë e ruajtjes dhe promovimit të trashëgimisë historike si pjesë thelbësore e identitetit kombëtar si urë lidhëse me diasporën shqiptare.

Gjatë punimeve u trajtua figura multidimensionale e Gjergj Kastriot Skënderbeut në kontekstin historik shqiptar dhe evropian, me theks të veçantë në rolin e tij në historinë e rezistencës dhe në formësimin e marrëdhënieve të hershme të Shqipërisë me Evropën.

Kruja, si qendër e rezistencës dhe trashëgimisë kastriotase, u trajtua nga Zj. Besa Sheta, historiane, ndërsa Znj. Aina Hoti, përfaqësuese e diasporës shqiptare në Zvicër, ndau perspektivën mbi rolin e shoqatave shqiptare në diasporë në promovimin e figurës së Skënderbeut dhe forcimin e identitetit kombëtar.

Një fjalim i veçantë u mbajt edhe nga Znj. Geri Ballo, Drejtore e “Made in Arbëria”, eksperte e marrëdhënieve me arbëreshët dhe përfaqësuese e diasporës, e cila theksoi rëndësinë e ruajtjes së lidhjeve historike, kulturore dhe shpirtërore me komunitetet arbëreshe, si pjesë e trashëgimisë dhe identitetit kombëtar shqiptar.

Në përmbyllje, Z. Mehdi Hafizi, Drejtor i Muzeut Kombëtar “Gjergj Kastriot Skënderbeu”, solli një reflektim mbi trashëgiminë historike dhe kulturore dhe përgjegjësinë për përcjelljen e saj ndër breza.

Aktiviteti u pasurua edhe me shfaqjen e sekuencave nga dokumentari “Donika Kastrioti – Një princeshë europiane”, duke i dhënë simpoziumit një dimension artistik dhe kulturor.

Skënderbeu mbetet busulla jonë historike, identitare dhe evropiane.