Nën kujdesin e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët, në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Diasporës, zhvilloi nga data 18 – 24 shtator 2025 turin kulturor “Shqipëria përmes syve të të rinjve arbëreshë”.
Në këtë program, morën pjesë të rinj arbëreshë të moshës 14 – 17 vjeç, nga komunat Montecilfone, Portocannone dhe Ururi, të cilët udhëtuan në Shqipëri për të njohur më thellë historinë, kulturën, gjuhën dhe trashëgiminë e atdheut të tyre. Programi përfshiu vizita në qytete me rëndësi historike dhe kulturore si: Tirana, Kruja, Shkodra, Lezha dhe Berati.
Qëllimi i këtij aktiviteti ishte forcimi i lidhjeve historike ndërmjet komunitetit arbëresh në Itali dhe Shqipërisë, si dhe krijimi i mundësive për shkëmbime kulturore dhe arsimore, duke inkurajuar brezit të ri të kontribuojë në ruajtjen dhe promovimin e identitetit të tyre kombëtar.
Ky tur është organizuar për herë të parë si rezultat i bashkëpunimit të qëndrueshëm ndërmjet Qendrës së Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët dhe Shoqatës “Kamastra” nga Molise, falë të cilit u realizua ky aktivitet i rëndësishëm.
Këto nisma do të vijojnë edhe në të ardhmen, duke forcuar më tej lidhjet shekullore midis komunitetit arbëresh të Italisë dhe Shqipërisë.