Pak ditë më parë u miratua nga Dhoma e Deputetëve e Parlamentit Italian, ligji për ratifikimin dhe zbatimin e Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Italisë për ofrimin e mbrojtjes sociale për qytetarët që kanë punuar ose punojnë në të dy shtetet.
Kjo marrëveshje historike do të mundësojë bashkimin e periudhave të sigurimeve shoqërore, për një mbrojtje më të mirë sociale për qytetarët shqiptarë dhe italianë që kanë pasur ose kanë angazhime profesionale në të dyja vendet, duke u ofruar mundësi më të mëdha për integrimin dhe stabilitetin ekonomik, si dhe për të përfituar nga pensionet dhe ndihmat sociale, si ndihmat për papunësinë, sëmundjet dhe mëmësinë.
Marrëveshja u nënshkrua më 6 shkurt 2024 në Romë nga Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Z. Igli Hasani, dhe Ministri i Punëve të Jashtme të Italisë, Z. Antonio Tajani.
Janë rreth 500 mijë shqiptarë që përfitojnë nga marrëveshja me Italinë, si dhe 4 mijë shtetas italianë, që përfitojnë pension në Shqipëri.
Ky hap i rëndësishëm do të forcojë marrëdhëniet mes dy shteteve dhe do të mbështesë qytetarët, duke lehtësuar procedurat për të kërkuar përfitimet e sigurimeve shoqërore.